Tetovë, Ramazani nis me më shumë kërkues se sa dhurues ndihmash

Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, muajit të mëshirës dhe solidaritetit, Forumi Rinor Islam (FRI) – Dega Tetovë, organizon aktivitetin humanitar ‘Shporta e Ramazanit’. Qëllimi i këtij aksioni është që t’u vihet në ndihmë njerëzve nevojtarë. 

“Ky aktivitet përfshinë dhurimin e pakove me vlerë prej 300 denarë të cilat mblidhen nga donatorët ose dhuruesit vullnetarë që mund t’i blini te qendra Ramstore (në qendër të Tetovës) dhe të njëjtën ja dhuroni degës së FRI-së në Tetovë, e cila në po të njëjtin vend bënë grumbullimin e mjeteve të dhuruara”, thotë koordinatori i FRI –Dega Tetovë, Muhamed Jonuzi.

Aksioni ka ditë që ka filluar dhe interesimi është në nivel. Gjatë ditës së djeshme kishte qytetarë që dhuronin pako prej 300 denarë. Por përpos në vendin e caktuar të gjithë të interesuarit donacionet e tyre mund t’i japin edhe në nëndegët e FRI-së në fshatrat e Tetovës. 

“Shporta e Ramazanit këtë vit do të shpërndahet njëjtë sikurse edhe në vitet e kaluara në qytetin e Tetovës dhe në fshatrat të cilat i takojnë Tetovës. Mirëpo nëse kemi tepricë të shportave të Ramazanit ne atë mund ta shpërndajmë ashtu si në vitet e kaluara në fshatrat e Prilepit dhe Gostivarit. Interesimi i qytetarëve përgjatë këtyre katër ditëve është në suaza të normales. Ne kemi arritur të tubojmë mbi 100 shporta të Ramazanit, mirëpo me keqardhje e themi se numri i atyre që e kërkojnë shportën e Ramazanit është shumë më i lartë nga numri i atyre të cilët dëshirojnë ta donojnë atë “ shtoi Muhamed Jonuzi.

Shporta e Ramazanit përmban ushqime si miell, sheqer, oriz, makarona dhe produkte të tjera./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button