Qeveria ndan 1,5 milion euro për kanalin e Haraçinës

Kanali i Haraçinës përfundimisht do të mbulohet. Me propozim të ministrit të Mbrojtjes së ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Abdilaqim Ademi, qeveria ka miratuar vendimin për realizimin e projektit për rregullimin e kanalit të hapur në vendbanimin e Haraçinës.

Rregullimi i kanalit të hapur në Haraçinë ka qenë kërkesë e kamotshme e banorëve të Haraçinës, por edhe shkollës fillore, sepse i njëjti për shkak të ujërave të ndotur paraqet rrezik potencial për bartjen e infeksioneve të ndryshme për banorët si dhe për nxënësit.

Ky projekt është pjesë e Programit të përbashkët të Qeverisë dhe duhet të fillojë të ndërtohet këtë vit dhe të përfundojë në mesin e vitit të ardhshëm. Vlera projektuese është 89 milion denarë ose rreth 1,5 milion euro, mjete të siguruara në buxhetin e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, deklaroi në pres konferencën e sotme zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha.

“Realizimi i këtij projekti u bë i mundshëm pas realizmit të rrjetit të kanalizimit në lagjen Hasan Beg që ishte edhe ndotësi kryesor i kanalit të hapur në Haraçinë.Me realizimin e këtij projekti kapital për Haraçinën do të kontribuohet në mënyrë të drejtpërdrejt në rregullimin e infrastrukturës, parandalimin e përcjelljes së sëmundjeve të ndryshme, në mbrojtjen e ambientit jetësor si dhe në rregullimin e hapësirës para shkollës fillore”, tha Hoxha.

Tenderi për këtë projekt në vlerë 89 milion denarë do të hapet ditëve në vijim. Në bazë të ligjit për furnizime publike, nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë ofertat do të hapen në fund të muajit gusht, kurse nënshkrimi i Marrëveshjes me ofertuesin më të volitshëm dhe fillimi i punimeve mund të fillojnë në fund të muajit shtator të këtij viti./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button