Qeveria e Gruevskit ka harxhuar së paku 19 milionë euro për libra të papërdorshëm (PJESA II)
Mijëra libra të përkthyera keq nga projekti pompoz i ish Qeverisë së Gruevskit “1.050 libra” janë duke u kalbur nëpër magazina me lagështi. 19 milion euro kanë përfunduar në bodrumet e errëta të Shkupit dhe Gostivarit. Portalb.mk ka hyrë në hapësirat e mykura, me pluhur të mbushura me libra të përkthyera keq për te cilat askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësi dhe nuk ka ide çfarë të bëjë.
LEXO PJESËN E PARË: Qeveria e Gruevskit ka harxhuar së paku 19 milionë euro për libra të papërdorshëm (PJESA I)
Autor: Fatbardha Curri
Është kryer kontroll se a i plotësojnë librat kushtet teknike dhe nuk është kontrolluar kualiteti i përkthimeve
Kualiteti i keq i përkthimeve është një ndër arsyet se pse këto libra nuk përdoren nga studentët, ndërkaq kanë reaguar edhe profesorët. Sipas raporteve të MASH, të gjitha këto libra i kanë përmbushur vetëm kriteret në aspekt teknik (pamja e jashtme). Përgjegjësinë për cilësinë e librit e mbajnë shtëpitë botuese. Sa i përket kontrollit të kësaj cilësie, kjo nuk është bërë dhe kërkuar nga ministritë.
“Detyrimet dhe përgjegjësia për përkthimin u takon shtëpive botuese” na konfirmoi ish ministrja Deskoska. (10.04.2018)
Kriteri kryesor i ministrive për të zgjedhur shtëpinë botuese ka qenë çmimi i ulët që ata e ofrojnë. Shtëpitë botuese aftësinë e tyre profesionale është dashur ta dëshmojnë vetëm përmes dokumenteve: listë dhe një kopje të literaturës së botuar në 3 vitet e fundit me tirazh prej 1.000 kopjeve për botim dhe deklarim për numrin, kualifikimin dhe strukturën e të punësuarve të cilët do të angazhohen për realizimin e punës duke i përfshirë në këtë listë edhe personat që do të angazhohen për redaktim, lekturë dhe përpunim kompjuterik.
Në marrëveshjet e bëra nga ministritë me shtëpitë botuese, nuk parashikohet dënim ose prishje të marrëveshjes nëse ndodh që përkthimi të jetë jo-kualitativ. Nga to, gjithashtu nuk është kërkuar të numërojnë kritere të qarta për mënyrën se si ata i zgjedhin përkthyesit dhe lektorët.
Në fotografitë më poshtë mund të shihni si duken marrëveshjet me shtëpitë botuese. Marrëveshja në fjalë është me sh.b “Nam Pres”. Me anë të neneve 3, 14, 15, 16 definohen të gjitha detyrimet e botuesit dhe blerësit, gjegjësisht institucionit shtetëror. Me anë të neneve 18, 19 dhe 20 definohen kushtet për tu prishur marrëveshja.
Sipas informatave jozyrtare të Portalb.mk, përkthyes të këtyre librave, posaçërisht nga faza e parë, përpos profesorëve, kanë qenë edhe individë që ligjërojnë në shkolla të mesme gjuhë dhe letërsi angleze. Ka pasur edhe prej tyre që e kanë të mbaruar vetëm shkollim e lartë si dhe kanë përdorur Google Translate, por këtë informatë asnjëri nuk deshi të na konfirmojë publikisht. Gjithashtu, një student na konfirmoi se një nga librat e kimisë ka qenë pjesërisht e përkthyer nga studentët, të njëjtëve mundi u është “kompensuar” me kalim provimi, por jo edhe me para.
Libri “Kimia Organike” – shembull eklatant i të pavërtetave shkencore
Shtëpia botuese “Prosvetno dello” ka nënshkruar marrëveshje me MASH për të botuar librin “Kimia organike” me autor Xhon Mekmuri. Libri nuk përdoret nga studentët për shkak të pavërtetave shkencore që shkruhen në të si pasojë e përkthimit joadekuat.
Rreth 50 gabime gjuhësore e profesionale e karakterizojnë vetëm një faqe të librit. Ka momente ku ngarkesën e elektronike e kanë shoqëruar me minus (-) e kurse mungesën e elektroneve në lidhje kimike me plus (+) e ku është ngatërruar masa me peshën.
Libri është i nevojshëm por i papërdorshëm, studentët sërish mësojnë nga skriptat, sepse i njëjti është përkthyer me vetiniciativë nga profesori i Universiteti të Tetovës në katedrën e Kimisë, Agim Shabani.
Këtu mund ta gjeni librin së bashku me gabimet dhe shënimet e profesorit.
“Libri i Xhon Mekmurit është ndër dhjetë librat më të mirë botëror, por ai nuk përdoret nga studentët tanë as sot e kësaj dite, sepse ka gabime të shumta gjuhësore. Të njëjtin e kam përkthyer vetë nga origjinali, dhe atë e përdor. Edhe pse është shpenzuar, unë sërish do të rekomandoja të përkthehet i njëjti libër që nga fillimi, sepse varianti im është skriptë, jo libër”, tha profesori Shabani.
Problemi i njëjtë mund të gjendet edhe te libri “Etnografija”, që u trajtua në emisionin “360 shkallë”.
Përkthyesit: nuk e kemi idenë se ku janë librat që kemi përkthyer
Portalb.mk i gjeti dy përkthyesit të cilët kanë qenë të angazhuar për përkthimin e librave nga gjuha maqedonase në atë shqipe. Por ata nuk kanë marrë informatë kthyese se si duket versioni përfundimtar i librave të përkthyer nga ana e tyre.
Ish profesori në Fakultetin Pedagogjik tash në pension, i lëndës së metodikës, Aziz Shehu thotë se përkthimin ai e ka marrë i kontaktuar nga ndërmarrja Art Studio, ndërmarrje e cila nuk figuron në listën e Shtëpive Botuese të tenderuara nga MASH-i. Ai thotë se krahas tij, në përkthimet e bëra nga ai kanë qenë të angazhuar edhe gruaja e tij, me iniciativë të tij dhe pa ndonjë kundërvlerë parash – vetëm se ka dashur ta bëjë përkthimin si duhet. Shehu gjithashtu thotë se nga katër tituj që ka përkthyer, asnjërin nga ata nuk ka mundur ta gjejë në bibliotekën 1000 libra në qendrën tregtare të Shkupit dhe as që iu është dhënë atij. Ai gjithashtu thotë se nuk e di as variantin final të asnjërit prej tyre.
“Unë nga aspekti profesional, ndërsa bashkëshortja nga ana gjuhësore. Por kjo nuk ka qenë e paraparë me kontratën e nënshkruar me shtëpinë botuese. Unë vetë e kam bërë këtë që të jem i sigurt se përkthimi do të jetë si duhet, pasi që nuk e kam ditur se kush do ta lekturonte më pas, sepse është dashur t’i bëhet edhe lekturë nga dikush tjetër. Mua më është dashur të më tregohet se kush do ta bënte lekturën, se ka mbaruar versioni i parë i kontrollimit. Gjatë lekturimit mund të ndryshonte diçka, për të cilën unë mund të mos isha pajtuar. Ende nuk kam informata a ka dalë edhe libri i parë që e kam përkthyer para katër vjetëve. Unë kam qenë i kontaktuar nga shtëpia botuese, më janë paraqitur në telefon, dhe më thanë që janë të interesuar për tu përkthyer libra. Pranova, edhe pse pagesa ka qenë minimale” tha Shehu.
Ndërkaq, profesori universitar tjetër i matematikës, Muzafer Beqiri thotë se ai nuk ka arritur t’ua rekomandojë librat e këtij projekti kolegëve apo edhe studentëve, sepse ai vetë nuk ka qenë i ftuar në promovime.
“Që 16 vite unë jam pensionuar dhe sinqerisht nuk kam pas raste dhe kontakte me profesorët universitar që t’ju rekomandoj këto libra. Për promovimin e tyre kanë qenë të angazhuar të tjerët dhe për fat të keq në këto promovime, unë si përkthyes, nuk kam qenë i ftuar. Përafërsisht mund të them se i kam përkthyer rreth 40 tituj. Mund të them se sipas planit, për këtë vit e kam edhe një libër për përkthim i cili është përafërsisht 600 faqe. Për fat të keq librat e botuar nuk i kam.” tha Beqiri.
Duke e pasur parasysh se ky projekt qeveritar të gjitha detyrimet cilësore ua ka besuar shtëpive botuese, për profesorin Shehu një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë. Ai propozon që për projekte të tilla fillimisht duhet të krijohen komisione në MASH dhe se librat duhet të përkthehen drejtpërdrejt nga anglishtja, e jo nga maqedonishtja siç ka ndodhur deri më tash.
“Puna duhet të jetë më e organizuar dhe të mos i mbetet çdokujt. Nuk duhet t’ju lihet shtëpive botuese, sepse ato nuk duhet t’i gjejnë njerëzit adekuat për përkthim, e aq më pak për lekturim e redakturë. Duhet të shikohet se kush është përkthyesi, kush e di anglishten dhe kush maqedonishten dhe shqipen. Unë kam përkthyer prej maqedonishtes. Kur nuk dakordohesha me përkthimin në maqedonisht, konsultohesha me librin anglisht. Ka pasur raste kur masa dhe forca janë përzier. Shpejtimi dhe nxitimi gjithashtu është ngatërruar”, tha profesori Aziz Shehu.
Nesër do të lexoni: Cilat janë shtëpitë botuese të cilat kanë fituar para?
Ky tekst hulumtues gazetaresk është mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Përgjegjësinë për përmbajtjen në të e mban vetëm autori dhe në asnjë mënyrë nuk mund të vlerësohet se i pasqyron pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.