Vdiq partia, rroftë Qeveria!

Në kohë, ekzistonin disa aparate naive për argëtim, si fliperë. Naive pasi ato nuk ishin shkatërrues të buxhetit familjar, e as të buxheteve të familjeve të tëra, si aparatet e ndryshme aktuale për bixhoz! Kështu, gjithandej, duke i parë pasojat nga këto aparate shkatërruese, aksioni i MPB-së “Detonator”, jo vetëm që është për t’u përshëndetur dhe për t’u përkrahur, por paraqet një aksion i cili duhej të fillonte shumë më herët, atëherë kur kishte iniciativë nga ana e qytetarëve të Maqedonisë. E jo kështu, pasi që disa qytetarë bullgarë ose  grekë të jenë ankuar deri te shtetet e tyre amë, e ata më pas deri te institucionet evropiane!

Që “Detonator” ka një përkrahje të gjerë tek popullata, shteti do kishte mundur të vërtetojë edhe në qoftë se nxirrte shpallje për kyçjen e qytetarëve në këtë aksion. Ndoshta askush nuk do të ishte aq i qytetar i përgjegjshëm për të zbatuar “arrestim qytetar” të tipave të ndryshëm të cilët janë pronarë të strofullave të tilla të bixhozit, ose nuk do të ishim aq direkt që të paraqisnim se kush janë ata, por edhe se cila është mburoja e tyre, kumbari, dhëndri apo kushëriri, të cilët i mbrojnë tipat e tillë. Por, është e sigurt se më shumë qytetarë do të kishin marrë pjesë në atë që të paraqesin se në afërsi të shkollave fillore apo të mesme ndodhen strofullat e tilla të veseve të këqija!

Të kthehemi tek fliperat, titulli, teksti dhe  konteksti të cilin dua ta theksoj. Te fliperat ekziston një proces, i cili vijon pas prekjeve të shumta të sustave të aparatit dhe harxhimit të opsioneve të lëvizjes së topit kah shtyllat mbrojtëse, prej ku fitohen poenë. Ky proces quhet – Tilt! Tilti madje mund të shërbejë si shembull për të shpjeguar pafuqinë ontologjike të njeriut, përkundër disa proceseve historike, kosmologjike apo metafizike, por këtu shumë mirë mund të na ilustrohen proceset tona tokësore, aktuale dhe të mbërthyera, politike.

Këto ditë kishte dy tilta të tillë. I pari është Gjorgje Ivanov, i cili nuk shkoi në inaugurimin e kryetarit të ri të Serbisë. Sigurisht që ky është një vendim legjitim, ashtu sikurse janë edhe disa lëvizje në fliperat amerikanë. Por, tilti ishte në atë se ky nuk tregoi pse! Pra, në rastet kur kemi deklarata zyrtare nga një shtet fqinj se ata këtë gjë e konsiderojnë si ofendim, ky përmend vetëm një tjetër takim pune. Pas kësaj, ose serbët duhet ta përsërisin inaugurimin, kur ky të jetë atje, në atë takim pune, ose do të duhej që, mos dhashtë Zoti, të na hakmerren për ofendimin, menjëherë në atë takim pune! Tilt veç më është që tani, por se i është harxhuar topi, do ta vërejë gjatë inaugurimit të kryetarit të sapo zgjedhur shqiptar – atëherë me siguri nuk do të shkojë as atje, pasi që duhet të shpjegojë se sipas cilave kritere i vlerëson fqinjët (sipas tridhjetë e diçka votave vendimtare për te të marra në Zajaz?). Kështu, ky edhe atëherë nuk do të thotë asgjë. E çfarë të thotë – mos shkuarja është mos shkuarje!

Me një “komandant suprem” të këtillë, qytetarët realisht duhet të frikësohen nga ajo se edhe në rast të shpalljes së mundshme të luftës ndaj shtetit tonë nga ana e ndonjë shteti të huaj, ky përsëri nuk do të thotë asgjë!

Dhe tilti tjetër, i cili, po zgjat më shumë, është tilti i BDI-së. Më saktë, mantra të cilën po e përsërisin dhe e cila që nga fillimi u është e ngecur. Pikërisht, mu sikur topi i lojës në flipera me një zheton apo top të falsifikuar, e cila që nga fillimi i lojës është tërë kohën në tilt! Kështu, mantra nga reagimet ndaj opinionit publik dhe sulmet ndaj analistëve dhe njohësve të tjerë normal të opinionit publik, që nga fillimi është vetë shkatërrues, pikërisht për partinë e tyre. Kjo për shkak të faktit se mu sulmet e tilla referojnë në atë se shoqëria e “azilantëve dhe shvercerëve” nuk ka ide se çka në fakt është demokracia, por edhe në atë se ata nuk kanë ndërtuar asnjë opinion publik të brendshëm partiak. Me çka, analistët, me kallëzim të thjeshtë të fakteve nga jashtë, bëhen më bindës madje edhe brenda, në qarqet e tyre të larta politike!
Kështu, gjatë ndonjë zgjedhjeje të mundshme brenda partiake, çdo tregues normal i proceseve, do ta fitonte madje edhe liderin e partisë! Por, si duket vetëm frika nga zgjedhjet e brendshme partiake është më e madhe se frika nga zgjedhjet e përgjithshme dhe ato nuk do të ndodhin së shpejti, edhe pse, sikurse në tërë botën normale, edhe këtu, opinioni publik apo analistët nuk do të garojnë me ta politikisht. 

Por, kjo vetëm tregon tiltin të cilin do ta shohin gjatë zgjedhjes së ardhshme, çfarëdo qoftë ajo, kur do të shohin se vetëm simpatizantët e sinqertë të BDI-së kanë dëshiruar që këta ta lëshojnë qeverinë. Përndryshe, të gjithë tjerët, ata të cilët do garojnë, me ata që do të mbesin prej tyre, në fakt i janë gëzuar zgjatjes së tiltit të BDI-së, dhe urojnë që sa më shumë Gruevski t’i nderojë me prezencën e tij në festimet partiake. Që në fund, tilti të jetë bash për qejf të atyre që do të vijojnë, të cilët ja, veç më ju duartrokasin – vdiq partia, rroftë Qeveria!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button