A mashtroi Qeveria gazetarët?

Marrëveshja që u arrit dje mes përfaqësuesve të Shoqatës së Gazetarëve dhe Qeverisë për dekriminalizimin e shpifjes u prit me reaksione të ashpra nga redaktorë e gazetarë. Përderisa disa thonë se mundësia që përpos gazetarëve të dënohen dhe kryeredaktorët si dhe pronarët, në mënyrë automatike do të risë nivelin e auto-censurës në gazetari. Për tjerët problemi qëndron në lartësinë e dënimeve si dhe në faktin që sistemi gjyqësor në vend çalon dhe kjo lë vend që gjykatësit të manipulojnë me vendimet.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SHGM-së shprehen se me dekriminalizimin gazetarët më nuk do të quhen kriminelë e as do të shkojnë në burg, ndërsa dënimet në para do të shqiptohen vetëm nëse vërtetohet se ata me qëllim kanë dashur të bëjnë shpifje.

“Marrëveshje turpi, nuk e di si e ka lejuar kryetari i shoqatës të manipulohet në këtë formë, shpresoj që ai shpejtë të vetëdijesohet dhe të jep dorëheqje. Me vetë faktin që  pronarët mund të dënohen  atyre ju jep mundësinë të bëhen redaktorë të lajmeve dhe kjo nuk ka logjikë. Nuk është dashur aspak të hynë në bisedime duke e ditur se Qeveria gjen mekanizma për manipulim, është indikative dhe mbetet e paqartë që deri më dje SHGM apelonte se Qeveria i anashkalon ndërsa brenda natës u arrit marrëveshja” thotë kryeredaktori i TV ALSAT-M, Muhamed Zeqiri.

Besim Iljazi, kryeredaktor i të përditshmes KOHA thotë se nuk janë të kënaqur me marrëveshjen, madje kjo gazetë  që nga fillimi ka qenë kundër dekriminalizimit të shpifjes, pasi jo rrallë pena e gazetarit ka shkaktuar pasoja edhe në jetë njerëzish. 

“Dënimet e parapara janë shumë të mëdha. Gjithashtu duket se megjithatë nuk u arrit ajo që kërkohej nga gazetarët, për më tepër kjo u pa edhe në fytyrat e negociatorëve të SHGM-së gjatë konferencës për shtyp me përfaqësuesit e qeverisë. Vlera prej 27 mijë euro, sa është dënimi maksimal, është e tepërt. Paramendoni, një dënim i këtillë mund ta çojë në bankrot një medium të caktuar” tha Iljazi.

Gazetari Branko Gerovski thotë se nuk është  kompromis që një gazetar i Maqedonisë i cili punon për 300 euro të harxhojë dhjetë paga mujore për të paguar dënimin.

“Pas kësaj vërtetë nuk ka nevojë për të menduar për vet-rregullim në medie sepse pronarët dhe redaktorët vetë do të censurohen, me gjasë dhe nuk do të ketë çfarë të censurojnë sepse vështirë që do të ketë ndonjë gazetar i cili do të merr rrezikun të kritikojë nëse ai duhet të paguajë 2000 euro” tha Gerovski duke theksuar se është për ardhë keq si këtë manipulim e ka përshëndetur dhe Brukseli

“Përfaqësuesit e SHGM-së që pranuan këtë zgjidhje edhe vetë e kanë të qartë se si funksionojnë gjykatat në vend, çfarë raportesh merr vendi për gjyqësinë e politizuar. Fundja, gabimet janë pjesë e punës por në këtë rast një gabim do t’i kushtonte një medie 27 mijë euro. Kjo nuk është gjë tjetër përveçse instalim të një totalitarizmi në sferën mediale dhe një mekanizëm për kontrollin e mendimit publik” tha gazetari Xhelal Neziri.

Ndërkaq gazeta “Vest” në shenjë revolti ballinën e numrit të sotëm e la të bardhë.

“Në vend se me dekriminalizimin e shpifjes të krijohen kushte për një liri më të madhe të informimit e cila garantohet me Kushtetutë, SHGM-ja hyri në negociata me Qeverinë për çmimin e dënimeve. Në një shtet në të cilin rroga mesatare është 300 euro, në të cilin të gjitha bizneset, duke përfshirë këtu edhe atë të mediumeve, varen nga mëshira e koalicionit në pushtet, pa marrë parasysh se cila është në pushtet për momentin, në një shtet ku nuk ka asnjë investim të huaj në mediume, në një shtet në të cilin nuk sundon e  drejta dhe nuk funksionon sistemi gjyqësor, në shtet në të cilin askush nuk e respekton ligjin për qasje të lirë ndaj informatave dhe as që dënohet për atë, ky dekriminalizim i shpifjes do të shpie deri te sundimi i vetë censurimit.”, thuhet në komentin e “Vest”.
   
Por, Nazim Rashidi i cili ka pasur rolin e konsulencës në grupin e gazetarëve të SHGM-së që biseduan me Qeverinë thotë se reaksioni është i përshpejtuar. Ai theksoi se dispozitat e propozuara nuk janë diçka e re, kanë qenë të njohura deri më tani nga gazetarët, ndërsa dje është vendosur vetëm për lartësinë e dënimeve.
 
“Gazetari në qoftë se arrin ta dëshmojë pafajësinë në gjykatë, nuk do të dënohet. Në qoftë se kërkon falje për të pavërtetat gjithashtu nuk do të konsiderohet i fajshëm por në qoftë se refuzon të botojë demantin atëherë mund gjykatësi të vendos dënimin i cili nuk do të thotë të jetë gjithmonë maksimal. Për redaktorët vlen e njëjta gjë, në qoftë se vërtetohet se ato me qëllim kanë dashur t’i bëjnë dëm ndokujt atëherë mund të shqiptohet masë dënimi për to” thotë Rashidi.

Sipas tij, ajo që duhet më tej të sqarohet në publik mbetet çështja e involvimit të pronarëve.

“Pronari në qoftë se vërtetohet se ka pamundësuar përgënjeshtrimin atëherë ai duhet të jep llogari në gjykatë.  Patjetër të hapet debat publik për këtë propozim ligj dhe të gjithë të shohim dhe analizojmë detajisht dispozitat e propozuara”  thotë Rashidi.

Problemi i dekriminalizimit të shpifjes, masë që u propozua nga Komisioni Evropian si një mënyrë për të përmirësuar situatën e përkeqësuar të lirisë së medieve në Maqedoni, zvarritet që nga viti i kaluar. Bisedën me gazetarët atëherë e filloi zv/kryeministrija Teuta Arifi për ti ndërprerë ato para një javëve  duke thënë se ka krizë. Por, brenda natës, u arrit marrëveshja, mu në ditën kur KRD  mbylli një tjetër medium.

Ndërkaq, mbetet hapur pyetja sa gazetarët mund t’ia besojnë gjykatave çështjen, kur raportet vendase dhe ndërkombëtare thonë se gjyqësori është i politizuar? /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button