Jeta në udhëkryqet e Shkupit

Serxhani 15 vjeçarë nga Shkupi është shitës ambulant. Ka gjashtë vite që ai shet prodhime të ndryshme nëpër udhëkryqet kryesore të Shkupit. Në vend se të jetë në bankat shkollore siç ai kishte dëshirë, kushtet e vështira dhe nevoja për mbijetesë kishte detyruar atë që në meshën 9 vjeçare që bukën e gojës ta nxjerr me mundin e tij.

Për dallim nga bashkëmoshatarët e tij që ndjeknin shkollën ai ishte i detyruar që të punojë për të siguruar ushqimi për të dhe motrat e tij.

“Unë shes në udhëkryqe që nga mosha 9 vjeçare. E kam patjetër. Përndryshe prej nga të mbetem gjallë” – thotë Serxhani.


Në gjithë globin fatin e Serxhanit e ndajnë edhe 400 milionë fëmijë të tjerë. Sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës 215 milionë fëmijë janë viktimë e keqpërdorimit të punës së fëmijëve, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar në punë të rrezikshme.

Kjo dukuri nuk e le pa prekur edhe Maqedoninë.  Situata me të drejtat e fëmijëve në Maqedoni vazhdon të mbetet e mjerueshme. Numër i madh i fëmijëve pa kulm mbi kokë, pa përkujdesje sociale e mjekësore, pa shkollim adekuat. Me një fjalë pa fëmijëri e pa ardhmëri.

Ky konstatim rrjedh nga numrat statistikor të cilët tregojnë situatë alarmante sa u përket të drejtave të njeriut. Mbi 2000 fëmijë në rrugë, ndërsa familjet e 87% prej tyre nuk marrin ndihmë sociale. Përveç asaj, 1500 fëmijë nuk janë të regjistruar në regjistrat e lindjes, e si pasojë nuk mund të shfrytëzojnë të drejtat e tyre kushtetuese, ligjore e ndërkombëtare.

Nga Ambasada e Parë botërore për mbrojtjen e fëmijëve “Megjashi” gjithashtu konstatojnë lëshime serioze të organeve kompetente për sa i përket mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Ata thonë se aspak nuk respektohet parimi i interesit sa më të mirë të fëmijëve, edhe pse ky parim duhet të jetë bazë për çdo vendim të Qeverisë që ka lidhje me fëmijët.

Nga “Megjashi” gjithashtu përmendin edhe problemin e fëmijëve të paevidentuar si çështje tejet brengosëse.

“Sipas të dhënave tona në Maqedoni ka rreth 1500 fëmijë të paevidentuar në Librin Amzë të të lindurve. Për ta tejkaluar këtë problem propozojmë bashkëpunim më të madh mes të gjitha institucioneve shtetërore të cilët mund të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problem, thjeshtëzim i procedurës për nxjerrjen e dokumentacionit, si dhe edukim i prindërve për evidentim me kohë të fëmijëve” – thotë Dragi Zmijanac, kryetar i ambasadës “Megjashi”.

Gjithashtu alarmant është edhe numri i rasteve të abuzimit seksual të fëmijëve, i cili është në tendencë rritjeje sidomos viteve të fundit. Qeveria publikoi on-line emrat dhe imazhet e pedofilëve të dënuar, si një hap për parandalimin e kësaj dukurie të shëmtuar.

Por sigurisht se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Kryetari i “Megjashi”, Dragi Zmijanac propozon edhe një pako masash tjera me të cilat do të ulet dhe parandalohet numri i rasteve të pedofilisë.

“Ne rekomandojmë masa tjera qeveritare për parandalimin e pedofilisë si që janë: programe preventive për mbrojtjen e fëmijëve nga pedofilia në nivel shtetëror, edukim i fëmijëve si të njohin dhe si të mbrohen nga raste eventuale të abuzimit seksual, edukim i arsimtarëve dhe prindërve si të njohin shenjat specifike që tregojnë se fëmija i tyre është viktimë e abuzimit seksual, qendrat për punë sociale të jenë në teren dhe të kenë qasje deri te familjet jofunksionale dhe ata në rrezik, shteti të siguron psikoterapi për fëmijët viktima më së voni 72 orë pas kryerjes së abuzimit” – tha Dragi Zmijanac.

Gjithsesi, konstatim i përbashkët është se institucioneve u mbetet shumëçka për të bërë, që të zvogëlohen numrat marramendës të fëmijëve të keqtrajtuar dhe me drejta të parealizuara. Deri atëherë Serxhani dhe 2 mijë fëmijë tjerë në Maqedoni, për fajin e prindërve të tyre të pandërgjegjshëm  apo për mungesën e një kontributi më të madh nga shteti, por jo për faj të tyre, do të ngelin rrugëve të shtetit, me qëllim të sigurimit të ekzistencës, duke u bërë kështu pre i lehtë i pedofilëve dhe njerëzve që nuk e kuptojnë hallin e tyre./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button