Këshilli i Shkupit miratoi gjashtë emrat e rinj të rrugëve

Këshilli i qytetit të Shkupit me shumicë votash miratoi ndryshimin e 29 emrave të rrugëve, shesheve dhe urave në kryeqytet. Në një situatë të tensionuar pas shumë ndërprerjeve të punës, në pako me emrat e rinj, janë miratuar edhe gjashtë propozimet me personalitete dhe ngjarje nga historia e popullit shqiptar. Por,  mbledhja e këshillit të Shkupit nuk shkoi ashtu siç ishte planifikuar.

Këshilltarët e LSDM-së që nuk pajtohen me një pjesë të propozimeve kërkuan që pika për riemërimin e rrugëve të hiqet nga rendi i ditës, dhe për këtë duke përdorur fishkëllyes dhe duke i rënë tavolinave me grushte kanë pamundësuar mbarëvajtjen e mbledhjes, pas çka është ndërprerë mbledhja dhe ka rifilluar pas pak minutave.

Pas miratimit të rendit të ditës, që përfshinte edhe pikën me riemërimet e rrugëve, këshilltarët e LSDM-së të shoqëruar edhe nga anëtarë të kryesisë së partisë së tyre si dhe një numri të madh të simpatizantëve që i prisnin jashtë, kanë lëshuar mbledhjen me çka ajo ka vazhduar pa praninë e këshilltarëve të opozitës. Në ora 14 nga këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së u miratuan 29 propozimet për riemërimin e rrugëve dhe dy urave.

Gjashtë emrat e personalitevee shqiptare që do të marrin rrugët e Shkupit janë: ‘13 Gushti- Marrëveshja e Ohrit’ në vend të ‘Roman Kaskalçeviç’, në vend të ‘Rifat Burxheviç’ do të jetë emri i shkrimtarit më të njohur shqiptar të kohës Ismail Kadare, emri i rrugës ‘Sevastopollska’ do të ndryshon në rruga ‘Kumbara’ mbiemër i Jashar bej Kumbarës, prefekt i parë i qytetit të Shkupit, shtëpia e së cilit është shpallur muze i luftës çlirimtare,  rruga ‘Virgino’ që ndodhet në lagjen e Gazi Babës e banuar 100 për qind me shqiptarë tani më do ta mbaj  emrin e themeluesit të shtetit të parë demokratik në Ballkan Fan Stilijan Noli, ‘Drvarska’ do të zëvendësohet me emrin e një ndër rrënuesve të sistemit komunist në Shqipëri, Azem Hajdari, dhe  ‘Vodnjanska’ do të jetë ‘Nënë Tereza’. 

Edhe ura te ASHAM-i si propozim i dy partive në pushtet do të quhet Nënë Tereza.
Gjithsej në të gjitha fazat do të ndërrohen emrat e  295 rrugëve, shesheve dhe urave, ndërsa 44 prej tyre janë emra të heronjve shqiptarë apo të ngjarjeve të ndryshme që ndërlidhen me shqiptarët.

Emrat që pritet ti mbajnë rrugët e Shkupit, pas miratimit të tyre  gjatë fazave të ardhshme janë: Mbreti Gent, Mbretëresha Teuta, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Arbëria, Kosova, Dervish Carra, Dervish Hima, Dardania, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Ferid Murati, Fan Noli,  Faik Konica, Abdyl Frashëri, Tirana, Demonstrata e studentëve  11 mars 1981, Prishtina, Lidhja e Pejës, Nexhip Draga, Ndue Bytyçi, Jusuf Gërvalla, Jashar Erebara, Isa Boletini, Iliria, Viktimat e bllacës(1944), Gjon Serreçi, Gjergj Fishta,  Azem Marana, Bekim Fehmiu, Bajram Curri, Nacional-demokratët shqiptarë, Azem Hajdari,  Adem Kastrati, Veli Meliçi,  5 maji-Dita e dëshmorëve të kombit,  4 dhjetori 1880-çlirimi i Shkupit nga ana e ushtrisë së Jashar bej Shkupit, 28 Nëntori-dita e flamurit./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button