PËRSHEFCA NË BUZË TË ZHBËRJES

Dikur fshati Përshefcë i Tetovës (një zot e di si e ka pasur emrin e vërtetë në thellësitë e së kaluarës) ka qenë një rubin në vargun e fshatrave që fillojnë diku nga Presheva e përfundojnë diku kah Gjini i Lalzit. Në këto anë dikur janë zhvilluar kryengritje të mëdha kundër të huajve, ndër të cilat më e përmendura është Kryengritja e madhe e Dervish Carës, që do të thotë se edhe Përshefca ka qenë pjesë e kësaj kryengritjeje, e kësaj epopeje. Që nga Mesjeta e deri vonë ky fshat, krahas rezistencës, gjithmonë ka bërë përpjekje titanike jo vetëm për ekzistencë, por edhe për ta ruajtur identitetin kombëtar e për t’iu përshtatur kërkesave të kohës.

Si të gjitha fshatrat e këtij vargu të bukur, edhe Përshefca kurrë nuk ka qenë si tash, para një situate që të mbetet në pleq e plaka, pa rini e pa fëmijë. Para nja tridhjetë vjetësh vlonte nga zërat e fëmijëve të cilët i jepnin kuptim e bukuri jetës së këtushme. Dhe, shkolla kishte plot nxënës. Prej atëherë numri i të rinjve e fëmijëve vazhdimisht zvogëlohet. Kështu si shkon puna nuk do të zgjasë shumë kohë e nuk do të tymojnë më oxhaqet e shumicës së shtëpive, rrugëve nuk do të dëgjohet zë fëmijësh, shkollën do ta mbulojë heshtja e rëndë dhe ajo do të shndërrohet në një përmendore memece në të cilën do të ushtrojë pushtet pluhuri dhe harresa mbi ditarët shkollorë të shkruar dikur shqip. Zhbërja i ka zgjatur gishtat e saj të hekurt mbi këngët popullore, mbi legjendat, mbi gojëdhënat, mbi leksikun, mbi sintaksën shqipe, mbi lojërat e traditës, mbi doket e zakonet, mbi arkitekturën popullore, mbi shtëpitë pa njerëz dhe mbi pasuritë natyrore, duke e tharë lumin që vinte moti i kulluar si pikë loti nga bjeshkët tona, duke e tharë edhe kënetën plot jetë e gjallëri në fushën tonë, duke e shndërruar fushën në zonë industriale. Burimet e shumta të ujit në fushë janë rralluar, siç janë rralluar edhe disa lloje drurësh e bimësh të tjera dhe zogjtë e kafshët e egra. Nuk dëgjohet më kënga e bujkut në fushë, si dikur, nuk dëgjohet as troku i kalit duke zbritur nga mali i ngarkuar me dru ahu. Mullinjtë dy a tre sa kanë qenë, janë rrafshuar me tokë, siç janë rrënuar edhe shtëpitë e moçme, duke mos e ruajtur as një për ilaç që të dëshmojë për dorën e arkitektit të dikurshëm popullor. Kishës së hershme mesjetare deri vonë i është ruajtur emri si toponim, tash atë e ka gëlltitur harresa. Edhe xhaminë e vjetër e kanë prishur vetë fshatarët, duke i mbuluar edhe një herë gjurmët e të kaluarës e duke u bërë krah i propagandave të huaja se ne jemi popull pa dëshmi historike. Kështu ne vetë e vullnetarisht e lamë fshatin pa të

kaluar, ndërsa me largimin e dendur të të rinjve nga fshati për t’u vendosur me familjet e tyre në vendet perëndimore, ne po ia marrim fshatit edhe të tashmen.

Duke e lënë pa trashëgimtarë, pa pasardhës, fshati po i dorëzohet harresës, që do të thotë zhbërjes. Nuk do ta kemi më fshatin e rezistencës, fshatin ku ruhej me fanatizëm gjuha shqipe dhe kultura shqiptare. Eh, verës do të na vijnë nipërit e mbesat e fshatarëve që dikur flisnin e këndonin shqip, por do të flasin në gjuhët e huaja, në gjuhët në të cilat asnjëherë nuk është kënduar Skënderbeu, në gjuhët në të cilat nuk mund të këndohet kurrë këngë për ditën e verës, në ato gjuhë të cilat s’i nxanë dot shprehjet e bukura, pezhorativat, kompozitat, mënyrën habitore e mënyrën dëshirore të foljeve…

Përshefca sot mund të krenohet me numrin e madh të intelektualëve, mirëpo nuk mund të lavdërohet me pozitën shoqërore e statusin ekonomik që kanë këta intelektualë, sepse për ta nuk lodhet pushteti. Dhe, droja se do të largohen të gjithë ata është reale.

Njerëzit e këtushëm që mblidhen nëpër kafene kanë dëshirë të flasin për të parët e fshatit dhe për të kaluarën, por edhe për të tashmen e të ardhmen. Kur flasin për të kaluarën biseda zgjatet dhe intensiteti i krenarisë rritet. Kur flitet për të tashmen, fillojnë të hidhen shigjetat e kritikës ndaj pushtetarëve të cilët tërë energjinë e tyre politike e kanë futur brenda dy projekteve për integrim: në NATO e në BE. Njëzet e sa vjet sillen rreth këtyre projekteve si në një rreth vicioz. Gjë konkrete e hairit s’ka dalë. E pahairit – po: kemi mbetur pa rini. Dhe, këtu duhet të nisë biseda për të ardhmen e fshatit. Mirëpo as më optimistët nuk shohin në horizont ndonjë të ardhme të ndritshme. Përkundrazi këtu ngrihet si një valë oqeani plot kërcënim pesimizmi i cili thotë se fshati së shpejti, për dy a tre dhjetëvjetësha do të mbetet pa frymë, me ndërtesa ku do të bredhin frymët. Dhe, e gjithë energjia e të parëve tonë, që nga Skënderbeu e deri te rilindësit do të bjerë në baltë. S’kemi kë fajsojmë… Fajet i kemi vetë… Secili kërkon një mënyrë t’ia falë fëmijët e vet perëndimit, sepse e ndjen se ai perëndim flet shumë, por nuk e ka ndërmend që ta pranojë një pjesë të Ballkanit perëndimor ku jemi ne… Duket qartë se ai perëndim kërkon që ta shtyjë integrimin e viseve tona derisa sa të heqim dorë nga identiteti ynë. Më tutje mund t’i analizoni vetë arsyet pse ndodh kështu. Dhe, mund të shpresoni se ky fshat i bukur do të jetojë në faqet e shkruara të historisë, nëse instituti për trashëgimi mëshirohet t’i përveshë krahët që të shkruajë për fshatrat tona që po vdesin që nga Presheva e deri në Gjinin e Lalzit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button