Strugë, statuti pas zgjedhjeve lokale

Xhevair Beqiri, kryetar i Këshillit komunal të Strugës, pas dështimit të disa tentativave për miratimin e projekt-statutit të komunës së Strugës, mendon që sipas gjithë gjasave me këtë çështje do të merret Këshilli i ardhshëm që do dalë pas zgjedhjeve lokale të 2013.

Këtë konstatim ai e mbështet edhe për arsyen se nuk do të ketë më mundësi kohore që Këshilli në këtë përbërje të votojë për rifillimin e procedurave nga e para për shkak të pamundësisë të respektimit të afateve.

”Ne prej më shumë se dy vjet jemi në negociata me këshilltarët maqedonas që këtë çështje ta mbyllim, por deri më tani është evidente që nuk kemi arritur të gjejmë një gjuhë të përbashkët me ta. Edhe negociatat janë afër dështimit sepse indicet janë që sërish këshilltarët e VMRO-së dhe të LDMS-së të jenë kundër projekt-statutit aktual. Mendoj që sipas gjithë gjasave me këtë çështje do të merret Këshilli i ardhshëm sepse procedurat për efekt të kohës nuk mund të fillojnë nga e para nga kjo përbërje e Këshillit. Tashmë besoj që dihet nga të gjithë që Struga, po mbetet pa statut për shkak të këtij qëndrimi të përsëritur të këshilltarëve të VMRO-së dhe të partive të tjera maqedonase të cilët në mënyrë abuzive e kuptojnë parimin e Badinterit”, përfundon Xhevair Beqiri./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button