Poeti Daim Miftari, fitues i “Penës së artë për poezi”

Të enjten (21 qershor 2018), vazhdoi nata e dytë e manifestimit “Pena ime”, nën organizimin e Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, e cila ishte e rezervuar për poezinë.

Defiluan dhjetëra poetë nga vende të ndryshme të Maqedonisë, të cilët me krijimet e tyre më të reja artistike, i dhanë imazh të ri mbrëmjes.

Juria profesionale, në përbërje: Salajdin Salihu, Ahmet Selmani dhe Sunaj Raimi, kishin vendosur që tre vendet e para t’ua ndajnë poetëve: Daim Miftari nga Gostivari (“Pena e artë për poezi” – Vendi i Parë), Kreshnik Sopaj nga Kumanova (“Pena e artë për poezi” – Vendi i Dytë), dhe Arlind Farizi nga Tetova (“Pena e artë për poezi” – Vendi i Tretë), kurse çmimin inkurajues – poetit të ri kumanovar, Epirot Ferati.

Drejtuesi i manifestimit Fatos Rushiti dhe sekretari i klubit, Selajdin Shabani, theksuan nevojën e mbajtjes së këtij festivali poetik, i cili mëton të jetë tradicional dhe të instalojë standard të ri krijues në këto hapësira.

Festivalin e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Likovës, z.Erkan Arifi, si një mbështetës permanent dhe inkurajues i të gjitha zhvillimeve kulturore në këtë trevë.

Festivali u zbukurua me muzikën e përzgjedhur nga artistja e re Funda Ali, dhe zëri i këndshëm i Ismet Vjeselit, ndërsa ambienti u zbukurua me punimet figurative, nën kujdesin e Hanife Islamit.

Edicioni i parë i manifestimit kulturor interdisiplinar “Pena ime” në Kumanovë, filloi më 20 qershor 2018 me hapjen e ekspozitës kolektive të 23 artistëve. Hapjen e manifestimit e bëri ministri i Kulturës, Asaf Ademi.

Në natën e tretë dhe të fundit të këtij manifestimi, (e premte, ora 19:30, te Shtëpia e Kulturës në Kumanovë), në program është muzika klasike, ku artistët e rinj do të performojnë vepra të papërsëritshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button