Tiranë, u prezantua nisma për bashkëpunimin mes të rinjve në Ballkanin Perëndimor

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shqipëri, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), organizoi aktivitetin e prezantimit të nismës “Youth Trail – Shtigje Rinore”, raporton Anadolu Agency (AA).

Për të dytin vit radhazi për katër ditë me radhë të rinj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Tiranë në disa aktivitete për të promovuar vlerat e demokracisë, bashkëpunimit dhe rolin e rëndësishëm që të rinjtë luajnë për paqen dhe sigurinë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e prezantimit, kreu i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchard, tha se Tirana është një vend i mirë për të bërë miq të ri.

“Do të organizojmë së bashku me ju disa seminare të ndryshme për antikorrupsionin, çështjet e barazisë gjinore, dhe për ekstremizmin e dhunshëm. Ky rajon ka pasur shumë vështirësi dhe kanë mbetur ende shumë plagë të hapura. Tirana është një vend i shkëlqyer për t’u kënaqur dhe për t’u takuar, jo vetëm sepse ka klimën, ushqimin dhe njerëzit e mirë, por është një vend i mirë për të bërë miq të ri. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje vitin që shkoi pas Shtigjeve Rinore mesazhi që mora nga të rinjtë ishte: Që gjatë atyre ditëve ata mësuan se kanë shumë gjëra të përbashkëta, sesa nga ato gjëra që i ndajnë”, tha Borchard.

Sipas tij, RYCO u zhvillua mbi bazën e modelit të shkëmbimeve dhe të organizatave franceze dhe gjermane që janë themeluar në vitet 1960.

Ndërsa zëvendësministrja për Evropën dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Artemis Dralo, tha se duhet të kemi një dialog më të hapur, jo vetëm nëpërmjet qeverisë, por dhe ndërmjet shoqërisë.

“Kemi kënaqësinë që të rinjtë nga vendet e Ballkanit Perëndimorë bashkohen për të diskutuar. Është shumë e rëndësishme për të siguruar hapa të sigurtë dhe për të inkurajuar rajonin tonë. Problemet që kemi pasur nga e kaluar kanë qenë një faktor historik për të na inkurajuar dhe motivuar për një të ardhme më të mirë”, tha Dralo.

Mbi dyzet të rinj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë ditëve në vijim, në kuadër të kësaj nisme do të përfshihen në një sërë aktivitetesh dhe seminaresh për tema nga barazia gjinore dhe antikorrupsioni te përballja me të kaluarën, bashkëpunimi rajonal dhe trashëgimia kulturore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button