Gjashtë deputetë të veriut në Kuvend?

Gjashtë vende pritet që të rezervohen për përfaqësues të veriut në Kuvendin e Kosovës. Ky zhvillim pritet të ndodhë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, në shtator, me të cilat veriu i Kosovës do të konsiderohet si “njësi” e veçantë brenda territorit të Kosovës, kanë thënë burime të gazetës në Qeveri.

Përfaqësues të partive politike, zyrtarisht e quajnë gati të pamundur një zhvillim të tillë, ndërsa vlerësohet se një zhvillim i tillë do t’i shtynte edhe enklavat tjera për të kërkuar ulëse të rezervuara.

Ndërkohë, edhe dy vende deputetësh do të rezervohen për komunitetet kroate dhe malazeze, të cilat pritet të njihen si komunitete kushtetuese.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, vlerëson se kjo do të ishte një zgjidhje e keqe për integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Në këtë mënyrë veriu do të ngrihej në një territor me të drejta të ndryshme nga pjesët tjera të shtetit. Pastaj jo vetëm komunitetet do të kishin ulëse të rezervuara, por edhe territoret e caktuara. Kjo do ta dëmtonte rëndë unitetin territorial të Kosovës si dhe integralitetin institucional të vendit”, ka thënë Konjufca. 

Lajme të ngjashme

Back to top button