Kumanovë: Nesër shënohet 100 vjetori i Kuvendit të Karadakut

Nesër në Kumanovë dhe fshatin Kron të Likovës, me aktivitete të ndryshme shënohet 100 vjetori i mbajtjes së Kuvendit të Karadakut, që përkon me shënimin e 100 vjetorit të pavarsisë së shtetit shqiptar.  Bëhet fjalë për një ngjarje të madhe historike, të mbajtur para 100 vjetësh që ka lidhje të drejtpërdrejt me 100 vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë. 

Kuvendi në fjalë është mbajtur  më 24 korrik të vitit 1912  në fshatin Kronë të Malësisë së Karadakut. Është ky Kuvend i parisë së kazasë së Kumanovës dhe të Preshevës. Në këtë Kuvend sipas fakteve historike është arritur marrëveshja që gjithë shqiptarët e këtyre kazave tu bashkoheshin kryengritësve të tjerë të këtyre dy kazave. Kjo bëri që të grumbulloheshin mbi 2.000 kryengritës të këtyre dy kazave , si dhe nga kazaja e Gjilanit pranë Manastirit të Mateçit , në perëndim të Kumanovës. Aty pritej urdhëri i drejtuesve të kryengritjes të kazasë së Gjilanit , që ti mësyhej Kumanovës, e pastaj të mirret pjesë edhe në çlirimin e Shkupit. Në Kuvendin e Kronit kanë marrë pjesë edhe Hasan Prishtina, Idriz seferi e drejtues të tjerë të Lëvizjes kombëtare shqiptare. 

Në kuadër të shënimit të këtij jubileu nesër  në ora 15.00 në fshatin Kron do të bëhet shpalosja e pllakës përkujtimore në kujtim të pesë luftëtarëve të panjohur, me çrast fjalë rasti pritet të mbajë , Kryetari i Këshillit organizativ, Musa Xhaferi.

Ndërkaq për në ora 17.00 në sallën e Këshillit komunal të Kumanovës do të mbahet simpoziumi shkencor kushtuar këtij Kuvendi, me çrast do të lexohen kumtesat e përgatitura. Gjithashtu do të shfaqet edhe filmi dokumentar “100 vjet Kuvendi i karadakut” i autorit Nexhat Aqifi.

Në fund të theksojmë se simpoziumi shkencor është paralajmëruar të transmetohet drejtpërsëdrejti në programin e Televizionit Festa. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button