Kërçova: RDK-punohet kundër shqiptarëve,PDSH pa koment

Deputeti i RDK-së Izet Zeqiri akuzoi koalicionin maqedonas që udhëhiqet nga LSDM se po punojnë kundër interesave të shqiptarëve të Kërçovës.

“Deklarata e sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Andrej Petrov për mbështetjen e kandidatit për kryetar të Kërçovës që do ta propozonte VMRO DPMNE dhe gatishmëria e tyre për tu bashkuar si dy parti më të mëdha maqedonase për Kërçovën është kundër interesave të shqiptarëve të Kërçovës” – tha Zeqiri. 

Ai theksoi se edhe pse me bashkimin e katër komunave të reja në Kërçovë janë krijuar kushte që për herë të parë të kemi kryetar shqiptar, megjithatë këto përkrahje dhe koalicione pamundësojnë një gjë të tillë. 

“Populli shqiptar i Kërçovës me padurim pret bashkimin e katër komunave, Zajazit, Osllomesë, Vraneshticës dhe Drugovës që për herë të parë të krijohet shumicë e shqiptarëve në komunën e Kërçovës dhe për herë të parë të kemi kryetar shqiptar në Kërçovë. Por deklarata e tyre tregon se koalicioni i gjërë në krye me LSDM-në po punon për Maqedoninë e bashkuar e jo për Kërçovën e bashkuar” – tha Zeqiri.

Nga PDSH mbeten pa qëndrim zyrtar për deklaratën e dhënë dje nga Andrej Petrov. Jo zyrtarisht partia e Menduh Thaçit do të qëndrojë indiferente rreth çështjes së Kërçovës për shkak të numrit të vogël të votave që merr vite me radhë. Nga kjo parti gjithashtu lënë hapur mundësinë që të përkrahin kandidat shqiptar në Kërçovë.

As nga partia në pushtet, BDI, nuk komentojnë deklaratat e Andrej Petrov, apo mundësinë e ndonjë bashkëpunimi mbarë shqiptar në Kërçovë apo Strugë. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button