Arifi: Do të vazhdojmë t’i përkrahim financiarisht projektet e OJQ-ve për të mirën e qytetarëve (VIDEO)

“Përmes modaliteteve të ndryshme të partneritetit mes komunës dhe sektorit joqeveritar, do të vazhdojmë me kofinancim dhe përkrahje të sektorit civil, të cilat pjesërisht financohen nga BE dhe që janë në dobi të shfrytëzimit politik”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi në konferencën e sotme për shtyp, ku njoftoi se OJQ Infoqendër dhe shoqata e grave nga Strumica e kanë përgatitur studimin “Kapacitetet në nivel lokal për shfrytëzim dhe programim të IPA fondeve”, njofton Portalb.mk.

“Komuna e Tetovës realizon edhe programin vjetor për financim të projekteve, në sferën e arsimit, kulturës, sportit dhe mbrojtjes sociale, nëpërmjet së cilës ndahen mjete financiare në projekte të ndryshme të cilat vijnë nga sektori civil. Komuna e Tetovës ngelet e hapur edhe ndaj iniciativave të sektorit civil dhe në të ardhmen do të mbështesë po ashtu siç ka mbështetur të gjitha format e partneritetit që kanë në fokus përmirësimin e kushteve ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore të shoqërisë”, tha Arifi.

Ajo shtoi se Komuna e Tetovës bën trajnimin dhe avancimin e kapaciteteve njerëzore me qëllim të aplikimit dhe tërheqjes së IPA fondeve.

“OJQ Infoqendër dhe shoqata e grave nga Strumica e kanë përgatitur studimin “Kapacitetet në nivel lokal për shfrytëzim dhe programim të IPA fondeve. Qëllimi i kësaj analizës është që të bëjë vlerësim të detajuar mbi kapacitetet lokale për shfrytëzim të fondeve IPA dhe fondeve tjera të Bashkimit Evropian si dhe dhënien e rekomandimeve për përmirësimin dhe avancimin e tyre. Komuna e Tetovë në kuadër të Sektorit për Zhvillim Ekonomik Lokal si dhe Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, është përpjekur që në kontinuitet të bëjë trajnimin dhe avancimin e kapaciteteve njerëzore, me qëllim të arritjes së njohirsë dhe ekspertizës së nevojshme për aplikim dhe tërheqje të fondeve IPA dhe fondeve tjera evropiane duke i kthyer ato në projekte reale nga të cilat fitojnë qytetarët”, tha Arifi.

Ndryshe, ky studim është përgatitur edhe për Komunën e Strumicës, Manastirit dhe Qytetit të Shkupit. Objekt studimi është edhe bashkëpunimi i autoriteteve lokale me sektorin joqeveritar për të mundësuar forma të bashkëveprimit në funksion të rritjes së efikasitetit për tërheqjen e fondeve të BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button