Rezolutat e miratuara në Kuvend që s’po i përfill askush

Më 31 janar e 1 shkurt të këtij viti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës u diskutua për gjendjen alarmante krijuar nga niveli i lartë i ndotjes së ajrit.

Pas debatit, grupet parlamentare kanë nxjerrë një rezolutë me 18 pika, ku ndër të tjera është kërkuar që mbrojtja e mjedisit të shndërrohet në prioritet shtetëror, raporton KTV.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, thotë se ka krijuar task-forcë për plotësimin e pikave të kësaj rezolute.

Por, sipas saj, në rezoluta të tilla me rëndësi shtetërore, edhe Qeveria duhet të ndihmojë më shumë.

Në Kuvendin e Kosovës sa herë që diskutohet për tema të mëdha, dalin rezoluta të tilla.

Një rezolutë për arsimin është miratuar vitin e kaluar ku e shpall këtë sektor me interes nacional për vendin, dhe që ministri i Arsimit do të duhej të raportonte çdo 3 muaj.

Kjo, sipas deputetes dhe anëtares së Komisionit për Arsim nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, nuk është duke ndodhur pasi ministri një kohë të gjatë nuk ka raportuar në Kuvend.

Ajo përmend edhe rezolutën e hartuar pas shkarkimit të bordit të mëparshëm të Agjencisë së Akreditimit, sipas së cilës, ministri veproi pasi gjendja u bë alarmante.

Artan Murati nga KDI-ja, thotë se një numër i madh i rezolutave të miratuara, nuk dihet nga kanë mbetur.

Sipas tij, kjo është pasojë që rezolutat nuk kanë obligime ligjore, ndaj dhe institucionet nuk marrin përgjegjësi të mëdha.

Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar rezolutën më të re, atë për mbrojtjen e fëmijëve nga interneti.

Në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Arsimit, thuhet se menjëherë është iniciuar hartimi i një Udhëzimi Administrativ, i cili do të jetë baza kryesore e punës për mbrojtjen e fëmijëve nga interneti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button