Hoxhaj: 2012, vit historik për Kosovën!?

Ata të cilët kanë penguar heqjen e barrikadave, janë pjesëtarë të njësive policore të Serbisë, njësive speciale dhe paramilitarë, e jo qytetarë të thjeshtë, pohon ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Serbia në 12-13 vitet e fundit po cenon sovranitetin tonë, që është në kundërshtim me Kushtetutën tonë, në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe dokumentet ndërkombëtare. Atje ka një prani masive të forcave policore dhe të sigurisë. Ato financohen dhe udhëhiqen nga qeveria serbe. Pas barrikadave qëndron pra edhe qeveria serbe”, tha Hoxhaj në një intervistë për DW në gjuhën shqipe.

Ai përsëriti deklaratat se qytetarët e tri komunave në veri të Kosovës “janë pengje prej forcave policore dhe forcave të sigurisë nga Republika e Serbisë”.

“Ata nuk lejohen të bashkëpunojnë me qeverinë në Prishtinë”, shton Hoxhaj. “Beogradi po përpiqet që atje të krijojë një gjendje të konfliktit të ngrirë, me qëllim që të realizojë pretendimet territoriale dhe politike. Ne jemi të vetëdijshëm që integrimi duhet të bëhet edhe në veri. Ne kemi integruar vitet e fundit 100.000 serbë në jetën normale dhe institucionale, në nivelin lokal dhe qendror – deri në qeveri dhe parlament. Kjo duhet të ndodhë edhe në veri të Kosovës me zbatimin e Planit të Ahtisaarit”.

Ministri i Jashtëm thotë se ndarja e veriut nuk vjen në konsideratë, sepse “do ta kthente tërë rajonin në gjendjen e para 20 viteve”.

“Secili shtet në Ballkan ka ndonjë pjesë problematike si Mitrovica, që do të thotë se do të kishte një reagim zinxhir”, thekson ministri.

Në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd, shefi i diplomacisë kosovare pohon se problem paraqet moszbatimi i marrëveshjeve të mëparshme.

“Qëndrimi i qeverisë sonë është shumë i qartë: pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë nuk do të ketë ndonjë takim të ri në Bruksel, sepse vihet në pyetje besueshmëria e këtij procesi”.

Për të viti 2012 është vit histori për Kosovën, “sepse kemi filluar me procesin e liberalizimit të vizave”.

“Integrimi politik dhe ekonomik i Kosovës në BE është rruga e vetme për zgjidhjen problemeve ekonomike dhe të sigurisë. Pavarësisht krizës financiare në Evropë, unë jam i sigurt se do të vijnë ditë më të mira për evropianët dhe se procesi i zgjerimit do të vazhdojë”, deklaron Hoxhaj, i cili mohon kritikat në adresë të tij për ngecjen e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Njohja e Kosovës po shndërrohet në një faktor global dhe Kosova është një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan. Ne presim njohje të reja”, tha ministri Hoxhaj. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button