Rama takohet me Macronin, Franca i sheh pozitive reformat në Shqipëri
![](https://i0.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2018/05/auto_2018-05-15T100112Z_1266401408_RC146974F0D0_RTRMADP_3_FRANCE-ALBANIA1526386167.jpg?fit=900%2C600&ssl=1)
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka pritur sot në Paris kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Sipas “Top-Channel”, Macron është shprehur i kënaqur për reformat, sidomos atë në drejtësi, në Shqipëri. Macron thuhet po ashtu se ka vlerësuar edhe rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në këtë takim, Macron ka falënderuar Shqipërinë për bashkëpunimin me institucionet e specializuara franceze për të ndalur fenomenimin e abuzimeve me sistemin e azilkërkimit.
Rama, sipas raportimit, ka kërkuar që Franca në qershor të pranojë hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në përgjigje, Macron mësohet se ka theksuar se strukturat përkatëse në Paris janë angazhuar seriozisht në leximin e detajuar të raport të Komisionit Evropian dhe në javët në vijim do të formojmë edhe qëndrimin përfundimtar të Francës.
Rajoni dhe roli i Shqipërisë në të ka qenë tjetër temë e takimit, së bashku me samitin e Sofjes, ku Macron është shprehur se do të mbajë një fjalë tepër të rëndësishme. Për sa i përket politikës së jashtme të Tiranës, Franca thuhet se ka vlerësuar koherencën e Shqipërisë dhe linjën e saj të konsoliduar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.