Haradinaj: Kosova është gati për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim zëvendës presidentin e Parlamentit Evropian, Reiner Wieland, i shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt dhe shefi i zyrës së “Konrad Adenauer” në Kosovë, Johanes Rey, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi Haradinaj është shprehur se “Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj evropiane dhe të integrimeve euroatlantike. Qytetarët tanë meritojnë të jenë të barabartë dhe të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së dhe ne po presim që sa më shpejtë të marrim lajmin e drejtë dhe të merituar për liberalizimin e vizave”.

Gjatë takimit, sipas komunikatës, kryeministri Haradinaj ka njoftuar zv/presidentin e PE-së Wieland, me përkushtimin e qeverisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve të saj për agjendën evropiane, për të arriturat në fuqizimin e sundimit të ligjit, nismën për reformën në administratën publike, në avancimin e raporteve për fqinjësi të mirë, të arriturat në zhvillimin ekonomik dhe për nevojën e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë.

“Kosova është gati për liberalizimin e vizave dhe ne presim mbështetjen e Parlamentit Evropian në këtë proces, i cili është jetik për qytetarët tanë”, ka thënë Haradinaj.

Më tej, duke theksuar rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, Haradinaj tha se “Kosova është partneri ideal i Gjermanisë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi resurset e nevojshme, të përshtatshme për investitorët gjerman dhe tani është koha që të shohim projekte konkrete në këtë drejtim”.

Haradinaj me këtë rast ka përmendur edhe rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, duke shtuar se “tani Kosova është një realitet tjetër, nga i cili nuk mund të kenë probleme vendet e BE-së”.

Ndërsa zëvendës presidenti i Parlamentit Evropian, Reiner Wieland “ka falënderuar kryeministrin e Kosovës për pritjen dhe gatishmërinë e bashkëpunimit për projekte specifike nga fusha e edukimit në programet e BE-së dhe Qeverisë Gjermane, duke shprehur mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e rendit dhe ligjit dhe përafrimin e vendit me agjendën evropiane”.

Kujtojmë se sot Wieland zhvilloi një takim edhe me grupin parlamentar të partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button