Zhytësi më i njohur në Kosovë: Trupat e policëve nuk ka shans të jenë bartur në Maqedoni

Për të tretën ditë me radhë, Policia, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe qytetarë vullnetarë po zhvillojnë kërkime për dy policët e zhdukur të aksidentuar me veturë zyrtare në magjistralen Hani i Elezit – Kaçanik, të cilët kanë rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Për gjetjen e policëve janë angazhuar rreth 170 persona. Por në mesin e kërkuesve mungon eksperti i zhytjes Ismail Kasumi. Ai në një deklaratë për Gazetën Express, shpreh bindjen se trupat e dy policëve të zhdukur gjenden në lumin Lepenc, në anën e Kosovës
Nuk beson se trupat e dy policëve të cilët u aksidentuan në magjistralen Kaçanik – Han i Elezit dhe ranë në lumin Lepenc mund të jenë bartur në pjesën maqedonase. Eksperti i zhytjes, Ismail Kasumi, në një intervistë për Gazetën Express ka treguar se nuk është duke marrë pjesë në operacionin e kërkimit për dy policët i cili është duke vazhduar tash e tri ditë.

Ai thotë se nuk ka marrë asnjë ftesë nga organet e hetuesisë kosovare, anipse thekson se është i vetmi zhytës që i ka pajisjet adekuate për këtë punë. Por, Kasumi shprehet se në bazë të përvojës beson se trupat e dy policëve, Malësorit dhe Armendit, ende gjenden në ujërat e Lepencit brenda territorit të Kosovës.

“Unë besoj që ata persona, nëse kanë ra në lumë, ata nuk kanë mujt me e kalu territorin e Kosovës. Ai lumë nuk është i thellë, në rrjedhën që është ka lumi janë duke i bërë ca gërmime, aty mund të jetë krijuar ndonjë pusetë. Unë kurrsesi nuk besoj që trupat janë bajtë për në territorin e Maqedonisë”, thotë ai.

Ndërkohë, njeriu i cili që 50 vjet ka nxjerrë afro 500 persona nga ujërat e Kosovës, shpreh bindjen e tij se brenda një periudhe të shkurtër të dy policët do të gjenden. Por, ai thotë se për t’i gjetur ata duhen njerëz profesionistë.

“Unë jam njeriu i parë që e kam marrë një iniciativë dhe i kam trajnu të gjithë ushtarët e FSK-së për zhytje. Unë tash jam kthyer në Kosovë, nuk marrë pjesë në zhytje. Mua askush nuk më ka thirrë. Çështja është se tek ne nuk dinë me e respektua profesionistin. Jam njeri i parë që e kam sjellë aparatin e zhytjes në Kosovë. Unë po shoh plot njerëz që po futen në ujë pa ndonjë aparat të zhytjes”, ka thënë Kasumi.

Por, ai insiston se duke marrë parasysh rrjedhën e lumit Lepenc, trupat gjenden ende në Kosovë.

“Unë me plot vetëdije e them se më së pari duhet ditur rrjedhën e lumit, kontaktin deri ku ka mund me i çu si dhe shtratin e lumit. Mua shumë keq më vjen ta them se ata nuk po duan njerëz profesionistë. Nuk ka lumë në Kosovë e as liqen që nuk e di rrjedhën e tij. Ata kanë qenë në uniformë policore, ata nëse kanë ra në ujë kanë mund me u kap najkun”, shpjegon ai.

Policët e aksidentuar të shtunën kanë qenë në një makinë zyrtare në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit dhe më pas vetura ka rënë nga ura e lumit Lepenc.

Kërkimet po bëhen edhe në anën e kufirit me Maqedoninë. Autoritetet atje janë në kërkim për gjetjen eventuale të trupave të dy policëve, pasi dyshimet janë që rrjedha e ujit ka mundur të bartë trupat e policëve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button