Nëse UEFA i thotë “JO” stadiumeve shqiptare, Shkupi mund të jetë “streha” e kuqezinjve

Brenda këtyre ditëve do të vendoset nëse kuqezinjtë do t’i zhvillojnë ndeshjet zyrtare në Shqipëri, pasi një grup inspektorësh nga FIFA dhe UEFA do të vijnë në Shqipëri në fillim të muajit qershor, për të vëzhguar nga afër stadiumet e propozuara nga Federata Shqiptare e Futbollit. 

Më konkretisht janë stadiumi kombëtar “Qemal Stafa, “Loro Borici” i Shkodres, “Niko Dovana” i Durresit dhe “Skënderbeu” i Korçës.

Ky komision do të vendosë nëse ndonjëri prej këtyre impianteve plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të Shqipërise. Në Federatën Shqiptare të Futbollit janë mjaft të shqetësuar për verdiktin final që do të nxjerrë delegacioni i FIFA-s dhe UEFA-s, pasi të katër stadiumet paraqesin probleme të shumta.

Stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, përveç problemeve të mbartura, i është shtuar dhe çështja e parkingut. Në fakt, presidenti i FSHF-se, Armand Duka, ka bërë të pamundurën për të mundësuar zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares në impiantin e kryeqytetit, por duket se kjo nuk do të arrihet deri në fillimin e Eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014”.

Ndërkaq, stadiumi “Niko Dovana” i qytetit të Durrësit kërkon investime të shumta për të luajtur aty, teksa ai i Skenderbeut i ploteson deri diku kushtet, por ka një tjetër problem që ka të bëjë me distancën më shumë se 100 km nga Aeroporti i Rinasit, që është kusht i vendosur nga UEFA, pasi duhet të jetë më afër.

Shpresa e vetme mbetet “Loro Borici”, por impianti i Shkodrës kërkon kohe per t’u rikonstruktuar. Pergjigjja negative që mund të japë komisioni i FIFA-s, dhe që me shumë mundesi do të ndodhë, do ta detyronte kombëtaren e futbollit që të luante në një vend të huaj që pas vitit 1997.   

Nëse inspektorët e FIFA-s do t’i japin një përgjigje negative FSHF-së, atëhere me shumë mundesi kombëtarja do të zhvendoset jashtë, ku një alternativë është stadiumi i Shkupit, ku kundërshtarët e grupit në Eliminatoret e Botërorit mund të pranojnë të luajnë. /Infoalbania

   

Lajme të ngjashme

Back to top button