Referendumi, opsioni i mundshëm i LDK-së

Në rast se Lidhjes Demokratike të Kosovës do t’i bëhet presion i vazhdueshëm ndërkombëtar që të hyjë në qeveri, për shkak të negociatave politike me Serbinë, atëherë partia e Isa Mustafës e ka menduar edhe një nga opsionet e mundshme të saja.

Partia më e madhe opozitare në këtë rast e ka menduar mbajtjen e një referendumi, ku qytetarët e Kosovës do të deklaroheshin nëse janë për negociata politike me Serbinë apo jo, dhe varësisht nga ky rezultat, ajo do të marrë vendim që të hyjë në qeverisje, shkruan “Zëri”.

Kështu ka thënë një burim i lartë në LDK, sipas të cilit ky opsion ende nuk është diskutuar në organet vendimmarrëse të partisë, mirëpo ekziston si ide.

“Një opsion i tillë ende nuk është diskutuar në organet e partisë. Mirëpo, kjo ide është duke u përmendur si opsion. Në rast se LDK-në do ta detyronin në çdo formë të hynte në qeveri për shkak të bisedimeve politike me Serbinë, atëherë ne si parti do të mund të dilnim me qëndrim zyrtar që do të kushtëzonim pjesëmarrjen në qeverisje me mbajtjen e një referendumi për këtë çështje”, ka thënë ky burim.

Mirëpo, zyrtarisht në LDK thonë se askush nuk ka diskutuar për një opsion të tillë. Megjithatë, zyrtarë të lartë të kësaj partie thonë se referendumi do të ishte veprimi më i drejtë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button