Komiteti Sigurisë: Barrikada e Ibrit, imazh i keq dhe pengesë për qytetarët

Barrikada në urën e Ibrit vazhdon të krijojë probleme për lëvizjen e lirë të qytetarëve, prandaj strukturat e sigurisë duhet sa më parë të veprojnë për largimin e saj, u tha të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë nga drejtuesit e Komunës së Mitrovicës.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se nuk mund të flitet për lëvizje të lirë dhe gjendje normale derisa në rrugë ekziston edhe një barrikadë e vetme. “Barrikada në urën e Ibrit, përveç krijimit të një imazhi të keq, është duke shkaktuar probleme të mëdha për lëvizje të lirë për qytetarët e veriut”.

Në këtë kontekst, ai përmendi qytetarët shqiptarë të lagjeve veriore, si ata të Lagjes së Boshnjakëve, Kodrës së Minatorëve dhe  zonës së “Tre rrokaqiejve”, të cilët janë të detyruar që të lëvizin nëpër rrugë alternative.

Sa i përket  gjendjes së sigurisë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se javën e fundit  ka qenë më qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të reflektohej në gjendjen e përgjithshme të sigurisë.  /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button