Legalizimi – janë zgjidhur rreth 30 për qind të lëndëve

Në një brifing me gazetarët, udhëheqësi i Sektorit të urbanizimit pranë Komunës së Gostivarit – Bekim Aliu, njoftoi se procesi i legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje në Komunën e Gostivarit, vijon me dinamikë të kënaqshme. Prej gjithsej 8.641 aplikime për legalizim objektesh, deri më 30 qershor, janë proceduar mbi 2.680 kërkesa, prej të cilave 1.490 janë zgjidhur.
 
“Në afatin e caktuar ligjor, u dorëzuan 8.641 kërkesa për legalizim të objekteve të ndërtuara pa leje. Deri më 30 qershor janë proceduar 2.680 kërkesa prej të cilave 1.490 kanë marrë aktvendime legalizimi.Lëndët e tjera kanë ngelur në procesin e kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm, konteste pronësore juridike dhe ngjashëm”, theksoi Bekim Aliu, udhëheqës I Sektorit të urbanizimit pranë Komunës së Gostivarit.

Ai vlerëson si të suksesshëm procesin e legalizimeve në territorin e Komunës së Gostivarit, duke dhënë sqarim edhe për afatet kohore që palët kanë në dispozicion për të ndjekur procedurat e kompletimit të dokumenteve dhe marrjen e aktvendimit për legalizim të objekteve. Ai sqaron se afati për ndjekjen e kësaj procedure është vetëm 6 muaj, dhe jo 6 vite ashtu siç u interpretua në opinion.

“Si institucion jemi të kënaqur me punën e referentëve që janë marrë me procesin e legalizimit. Mund të them se përgjithësi jemi të kënaqur me këtë proces. Apeli drejtuar qytetarëve që kanë aplikuar në afatin e paraparë për të legalizuar objektet e tyre, do të ishte dorëzimi në kohë i dokumentacionit. Ligji për legalizimin e objekteve është shumë i qartë. Afati për procesin e lëndëve për legalizime është 6 muaj, këtë e rregullon neni 11 i këtij ligji, ku thuhet që afati kohor prej dorëzimit të kërkesës deri te marrja e aktvendimit është 6 muaj. Brenda kësaj kohe, organet komunale shqyrtojnë dokumentacionin dhe verifikojnë mundësitë e legalizimit të objekteve”, potencoi Aliu dhe shtoi se në qoftë se lënda i plotëson kushtet për pëlqim urbanistik, bartësi i lëndës merr aktvendimin për legalizim, në qoftë se jo, bëhet aktvendim për refuzim.
 
”Neni 30 thotë që komuna brenda 5 viteve t’i inkorporojë objektet e legalizuara brenda planeve urbanistike, por ky nuk është afati ku palët mund të bëjnë procesin e legalizimit. Afati për palët është vetëm 6 muaj. Andaj kisha apeluar deri tek aplikantët që procedurën e legalizimit ta realizojnë sa më shpejt që është e mundur”, nënvizoi Aliu.
 
Me qëllim të azhurnimit në kohë dhe me ma tepër efikasitet, në Komunë e Gostivarit funksionon ‘laboratori’ për realizimin e kërkesave nga ana e pronarëve të objekteve të ndërtuara pa leje dhe të përfshira në procesin e legalizimeve. Aktualisht, me lëndët që duhet të kalojnë procesin e legalizimit merren 8 komisione.
 
Komuna e Gostivarit, i inkurajon të gjithë qytetarët të cilët kanë aplikuar për legalizim të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, posaçërisht kurbetçinjtë të cilët qëndrojnë për momentin në vendlindje, që sa më shpejtë të kompletojnë dokumentet dhe t’i dorëzojnë në Shërbimin për legalizim pranë Komunës së Gostivarit.

Lajme të ngjashme

Back to top button