Zeqiri: Vetëm në administratë diskriminohemi për 42 milion euro

Çështja e listave të personave të papunë është lëndë e debatit të ashpër në Kuvend. Përveç tendencave për fshirje artificiale nga listat, për çka akuzon opozita maqedonase, deputeti i RDK-së Izet Zeqiri thekson edhe diskriminim etnik, për shkak të mospërfshirjes të të gjithë shqiptarëve në këto lista.

“Problemi i papunësisë është problem esencial, është problem ekonomik, por është edhe problem politik ndëretnik. Duhet të analizohet numri i shqiptarëve të papunë, në bazë të Entit për punësim, shqiptarët janë 62 077 të papunë, nga numri i përgjithshëm i të papunëve që është 273 392. Mirëpo një pjesë bukur e madhe e shqiptarëve nuk marrin pjesë në forcën aktive që kërkojnë punë, për këtë shkak ky numër i të papunëve shqiptarë është shumë më i lartë” – thotë Zeqiri.

Ai gjithashtu akuzon qeverinë për diskriminim të shqiptarëve me punësimet në administratë. Edhe pse me Marrëveshjen e Ohrit është paraparë punësim adekuat i shqiptarëve në administratën shtetërore, Izet Zeqiri konstaton diskriminim për mbi 42 milion euro për çdo vit, si pasojë e mospërfaqësimit proporcional në administratë.

“Shqiptarët janë të diskriminuar edhe në punësimin në administratë publike dhe administratë shtetërore. Nëse analizohet me kujdes zëri i pagave dhe kompensimeve në buxhet që për çdo vit nga buxheti ndahen 361 milion euro, nga të cilat pjesa dërmuese shkon për të punësuarit maqedonas dhe të tjerë, ndërsa më pak nga shqiptarët, sepse përfaqësimi i shqiptarëve në administratë publike nuk është adekuat, gjegjësisht 25,17%, por është diku afër 15%. Nga kjo konkludojmë se nga 361 milion euro, 307 milion shkojnë për pagat për të tjerët, ndërsa vetëm 54 milion shkojnë për shqiptarë, dhe kjo tregon një diskriminim për mbi 42 milion euro për shkak të mos përfaqësimit të drejtë” – shpjegon deputeti Zeqiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button