Qeveria i raportoi Brukselit, Parlamenti pret shtatorin

Qeveria sot ka dorëzuar në Bruksel raportin për realizimin e aktiviteteve më prioritare për veprim në kuadër të obligimeve që morri përsipër nga dialogu në nivel të lartë me Bashkimin Evropian.

Sekretariati për Çështje Evropiane informon se Raporti thekson përparimet në realizimin e aktiviteteve të parapara në fushën e lirisë së të shprehurit në media, reformës zgjedhore dhe sundimit të së drejtës-përmirësimit të dialogut midis bashkësive. 

Sa i përket lirisë së të shprehurit në media, SÇE konstaton se ka arritur sukses duke përmendur dekriminalizimin e shpifjes dhe ofendimit dhe përgatitjen e projekt Ligjit për përgjegjësi civile e cila është dërguar për mendim deri tek Këshilli i Evropës.

Lidhur me reformën zgjedhore , SÇE ne Raport shkruan se është konstatuar se grupet e punës për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor dhe për kontrollimin e Listës së votuesve punojnë në përputhje me dinamikën e vërtetuar dhe aktivitetet e tyre janë në një fazë të avancuar të realizimit. 

“Lidhur me sundimin e së drejtës-përmirësimit të dialogut midis bashkësive dhe në pajtim me aktivitetet nga Udhërrëfyesi, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka përgatitur Raport për implementimin e politikave të cilat dalin nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit” informon SÇE.

Ndërkaq, Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski sot u ka thënë gazetarëve se Parlamenti do ti përmbushë të gjitha detyrimet ndaj kërkesave të BE-së deri më shtator, që në tetor të marrim rekomandime pozitive në raportin e ri të KE-së.

Javën e ardhshme në procedurë parlamentare duhet të hyjnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor të bëra sipas rekomandimeve të OSBE-së, ODIHR dhe ligjit për financim të partive politike. Në korrik, sipas tij, ligjet do të kalojnë në lexim të parë, ndërsa leximi i dytë të jetë në shtator. 
Më tej ai ka informuar se në javët në vijim Qeveria deri në Parlament ta parashtrojë ligjin për dekriminalizim të shpifjes. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button