Bullgaria do të lobojë për njohje të reja të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Bullgari, është pritur me nderimet më të larta shtetërore në Presidencën e Republikës së Bullgarisë, nga presidenti Rosen Plevneliev.

Në takimin mes kryeministrit Thaçi dhe presidentit Plevneliev është biseduar për bashkëpunimin mes dy shteteve, për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët dhe për bashkëpunimin rajonal.

Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Bullgarisë dhe falënderoi presidentin Plevneliev për njohjen e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës nga ana e Bullgarisë, në momentet e para pas shpalljes së pavarësisë.

Pasi i bëri një ekspoze, punës dhe vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, kryeministri Thaçi theksoi se tani institucionet e Kosovës janë të fokusuara në përmbushjen e agjendës europiane dhe euroatlantike të integrimit.

Në takimin me presidentin e Bullgarisë, Thaçi foli edhe për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në krijimin e ambientit të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë. Kryeministri me këtë rast iu bëri thirrje të gjithë investitorëve bullgarë që të vijnë dhe të investojnë në Republikën e Kosovës.

Nga ana e tij, presidenti i Republikës së Bullgarisë, pasi vlerësoi lartë marrëdhëniet mes dy shteteve theksoi se Bullgaria është vend mik i Kosovës dhe në këtë drejtim bashkëpunimi ndërshtetëror me Kosovën vetëm sa do të thellohet.

Presidenti bullgar theksoi se Qeveria e Bullgarisë është e përkushtuar për të ndihmuar në procesin e shtimit të numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës, si dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare.

Presidenti i Bullgarisë po ashtu u shpreh në favor të thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, posaçërisht në fushën e Bujqësisë, Industrisë dhe të Tregtisë. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button