Prishtinë, Dyert e Rektoratit, të mbyllura për SKV-në

Policia ka arrestuar të mërkurën pasdite 18 studentë, anëtarë të Lëvizjes Studentore për Barazi – Studim, Kritikë, Veprim (SKV), të cilët protestuan përpara Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Policia dhunshëm ka arrestuar studentët, pasi që Rektorati ia mohoi hyrjen anëtarit të kësaj lëvizjeje, Rron Gjinovcit, për të marrë pjesë në shortin për zgjedhjet studentore në UP.
Kjo organizatë studentore, dikur degë e Vetëvendosjes në UP, ka dërguar këtë javë në Prokurori disa dokumente që, sipas saj, tregojnë shkallën e korrupsionit dhe abuzimit në universitetin publik.

“Arsyeja e protestës ka qenë se Komisioni Zgjedhor për Zgjedhjet Studentore në UP, nëpërmjet telefonit, të mërkurën ka kontaktuar përfaqësuesin e Lëvizjes SKV, Rron Gjinovcin, të cilin e kanë ftuar për tërhequr shortin për zgjedhjet studentore të 6 qershorit. Mirëpo në kohën e paraparë për tërheqjen e shortit, Rroni te rrethoja e rektoratit nuk u lejua që të hynte nga rojtari me arsyetimin se Sekretari i UP-së, Vaxhid Sadriu e paska urdhëruar atë që të mos e lejonte të marrë pjesë në tërheqjen e shortit”, thuhet në një reagim të lëshuar nga SKV.
“SKV nuk do të ndalet në rrugëtimin e saj të organizimit të studentëve për një Universitet të studentëve e të shkencës e jo të klientelizmit politik e të dhunës policore”, thuhet në fund të reagimit të Lëvizjes Studentore për Barazi – SKV.

UP-ja është arsyetuar se nuk lejoi hyrjen e Gjinovcit për shkak se ka procedurë penale kundër tij. /telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button