Trump këshillohet me krerët ushtarakë mbi Sirinë

Presidenti Donald Trump ka planifikuar të këshillohet me udhëheqësit e lartë ushtarakë këtë të hënë, menjëherë pasi kërcënoi me pagimin e “një çmimi të lartë” përgjegjësit e sulmit kimik në Siri, që vrau dhjetëra gra e fëmijë mes të tjerëve, transmeton Top Channel.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump kishte përgatitur një seancë informuese dhe një drekë me krerët ushtarakë. E hëna është dita e parë në detyrë për këshilltarin e ri të emëruar të Sigurisë Kombëtare, John Bolton, i cili edhe më herët ka qenë mbështetës i sulmeve të mundshme ajrore ndaj regjimit të Sirisë.

Diskutimet në Shtëpinë e Bardhë vijnë në një kohë kur Rusia dhe ushtria siriane fajësuan Izraelin për sulmin me raketa në agim, mbi një bazë ajrore të rëndësishme në qendër të Sirisë, duke thënë se avionët luftarakë izraelit kishin lëshuar raketa nga hapësira ajrore e Libanit.

Një grup monitorues i luftës civile në Siri njoftoi se sulmet ajrore vranë 14 persona, përfshi edhe disa iranianë aktivë në Siri.

Agjencia shtetërore e lajmeve “SANA” tha fillimisht se sulmi mbi bazën ajrore “T4” ishte me gjasa një “agresion amerikan”, por zëdhënësi i Pentagonit, Christopher Sherëood hodhi poshtë shumë shpejt pretendimin se ishin Shtetet e Bashkuara që fshiheshin pas sulmit, ndaj dhe agjencia i tërhoqi mbrapsht akuzat, duke fajësuar më pas Izraelin.

Sulmi me gaz nervor i së shtunës u krye mbi zonën e fundit të kontrolluar prej rebelëve, pranë Damaskut, mes asaj që u konsiderua si rinisje e ofensivës ushtarake siriane pas shkeljes së armëpushimit. Aktivistë sirianë, punonjës shpëtimi dhe mjekë thanë se sulmi në Douma vrau të paktën 40 persona, ndërsa familje të tëra u gjetën të asfiksuar në shtëpinë e tyre.

Zyrtarët në Uashington punuan gjatë së dielës në përpjekje për të verifikuar pretendimet e aktivistëve opozitarë sirianë dhe punonjësve të shpëtimit, se përgjegjëse për sulmin ishte qeveria e Assadit.

Rreth një vit më parë, Trump urdhëroi lëshimin e dhjetëra raketave “cruise” mbi një bazë ajrore siriane, pasi deklaroi se Assadi “u kishte zënë frymën të pafajshmëve” civilë në një sulm ku u përdor një gaz i ndaluar kimik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button