Shembjet anësore e bëjnë të pasigurtë rrugën e re të Banjës së e Tetovës (FOTO)

Rrugë e re por e rrënuar, kjo është pamja e rrugës së re për në Banjën e Tetovës. E shtruar me asfalt një vit më parë, ajo në disa vende është e pasigurtë për kalim sepse ka shembje të tokës, njofton Portalb.mk.

Qytetarët që takuam në rrugën e Banjës e që frekuentojnë rregullisht këtë vend, thonë se ndjehen të rrezikuar.

“Kjo rrugë u bë mirë që u ndërtua, por mos-ndërtimi i mureve anësore ka bërë që të jemi të rrezikuar ne si banorë, por edhe të dëmtojnë asfaltin që është shtruar, dhe më së miri kësaj punë i thonë “fukaraja paguan dy herë“- thotë për Portalb.mk, qytetari Zendel Aliti.

Ndërsa Sefer Osmani shprehet se siguria në këtë rrugë është shumë e ulët duke pasur parasysh se edhe muri mbrojtës që është ndërtuar vetëm në një pjesë të vogël është shembur.

“Kjo na bën që kalojmë me frikë në këtë rrugë sidomos kur toka është e lagur” thotë ai.

Nga Komuna e Tetovës thonë se projekti që është realizuar nuk ka paraparë mur mbajtës anësor, ndërsa pritet të bëhet edhe një projekt për mure mbajtëse anësore.

“Në rrugën e Banjës nuk kemi projekt për murrët mbajtëse nga ana e sipërme, ndërkohë që pritet të bëjmë projekt për disa pjesë ku është e rrezikuar rruga dhe rrëshqitjet e dheut të vendosen murre mbajtëse” thonë për Portalb.mk nga Komuna e Tetovës.

Banja e qytetit të Tetovës është vetëm disa kilometra larg qytetit përreth lumit Shkumbin. Ky vend është i njohur për ujin mineral si dhe bukurinë natyrore dhe freskinë që e jep qytetarëve sidomos kur në qytet temperaturat janë të larta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button