Të burgosurit politik-Të gjithë në protestë më 7 qershor!

Shoqata e të burgosurve dhe të përndjekurve politikë shqiptarë në Maqedoni sërish bën thirrje për protesta para Qeverisë më 7 qershor. 

“Me Protestën e paralajmëruar për datën 07.06.2012, jemi duke përgatitur opinionin shqiptar që nga fillimi i muajt shkurt 2012. Moto e protestës do të jetë “Për Dinjitet, vlera Europiane dhe Bashkim”. Protesta do të jetë dinjitoze. Në protestë do të marrin pjesë meshkuj, femra dhe fëmijë. Çdo lëvizje do të koordinohet nga Këshilli i Protestës, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të të gjithë asociacioneve dhe shoqatave që kanë paralajmëruar përkrahje. Përkrahje kemi nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë, Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë dhe shumë shoqata të tjera. Protesta do të ketë mesazh mos nëpërkëmbjen e dinjitetit  të shqiptarëve dhe mos diskriminimin institucional kundër tyre” shkruhet në komunikatën e ShBPPSH.

Kjo shoqatë kërkon miratim të ligjit për dëmshpërblimin e të burgosurve, të përndjekurve dhe të diferencuarve ideo-politikë shqiptarë gjatë ish sistemit komunist. Që nga viti 2005,Shoqata përgatiti një Propozim Ligj për zhdëmtim dhe kompensim për të gjithë të burgosurit, të persekutuarit dhe të dëmtuarit politik që nga viti 1944-1991, por ai ende nuk është pranuar.

“Nuk morëm përgjigje pozitive as edhe nga faktori ndërkombëtar, edhe pse kemi pasur disa dhjetëra takime, dhe ua kemi dhënë edhe Ligjin për Ç’dëmtim dhe Kompensim material të ish të burgosurve dhe të persekutuarve politikë shqiptarë” thonë nga ShBPPSH.

Sipas evidencës së kësaj shoqate, mbi 24000 shqiptarë kanë qenë të persekutuar politikisht nga ish sistemi komunist. 

“Në rast se secili ish i burgosur dhe i persekutuar në rrethin e vetë më të ngushtë ka më së pakti 30 individë, del si përfundim se pothuajse çdo shqiptar është i persekutuar politikisht. Këtë  logjikë fatkeqësisht nuk e kanë kuptuar të gjithë shqiptarët. Ne në protestë i ftojmë të gjithë shqiptarët, pa mare parasysh se cilës partie i takojnë ose çfarë bindjesh politike kanë” shkruhet në komunikatën e ShBPPSH.

Kjo shoqatë ka angazhuar juristë të cilët do të ndihmojnë ish të burgosurit politik të padisin shtetin. Ata thnonë se problemin do ta zgjidhin sipas shembullit të ish të burgosurve politikë maqedonas duke potencuar rastin e Metodij Antonov-Çento që e ka paditur shtetin.

“Padi kundër pushtetit mundet të bëjë çdo ish i burgosur dhe i persekutuar shqiptar. Është mire që në padi të regjistrohet edhe numri i veprës penale të të dënuarit. Ata që nuk kanë asnjëfarëlloj dokumenti, Padisë le t’ia bashkëngjisin deklaratat e dy dëshmitarëve të vërtetuara në noter. Paditë duhet dorëzuar pranë gjyqit, i cili e ka dënuar personin. Paditë do të dorëzohen pranë gjykatave përkatëse duke filluar nga data 01.06-07.06.2012.Sa më tepër padi që do të dorëzohen nëpër gjyqe përkatëse, aq më shumë kjo çështje do të shndërrohet në problem politik, dhe aq më shpejtë do të zgjidhet” shkruhet në komunikatën e ShBPPSH.

Ata thonë se kjo shoqatrë nuk lufton për rehabilitim por për zhdëmtim për dëmin e bërë nga shteti.

“Ne kërkojmë kompensim dhe ç’dëmtim material për shumë arsye. Si rezultat i burgosjeve dhe largimeve nga puna, shumë njerëz kanë humbur shëndetin ,karrierën dhe orientimin në jetë. Shumë familje janë shkatërruar materialisht dhe shpirtërisht Merreni me mend, një student I burgosur në fillim të viteve të tetëdhjeta ,kur del nga burgu pas pesë ose gjashtë vjetësh, ai ka humbur kontaktin me gjeneratën e vetë. Ka humbur kontaktin me studimet, dhe e vetmja rrugë që do ti kishte ngelur ishte kurbeti. Ja se si burgu shkatërroi me mijëra jetë. Një i punësuar, i cili është përjashtuar nga puna, dhe deri në gjetjen e punës të re i ka humbur 10-15 vjet përvojë pune ,në kohën kur ai del në pension do të mare 20-30-ose 40%më pakës pension. Burgosjet e shqiptarëve kanë kontribuar edhe në zvogëlimin e natalitetit të shqiptarëve. Shumë ish të burgosur kanë dale me të meta fizike dhe psiqike si rezultat i torturave dhe presioneve gjatë vuajtjes të dënimit. Sot janë disa qindra ish të burgosur të cilët vuajnë bukën e gojës për të vetmen arsye se shqiptarët ,për të cilët ata dhanë rininë e vetë kanë harruar. shkruhet në komunikatën e ShBPPSH. /Portalb/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button