Trump nënshkruan dekretin për tarifat doganore ndaj Kinës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv që imponon 60 miliardë dollarë në tarifa për importet nga Kina, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë i shoh ata si një mik”, tha Trump gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, por shtoi se “janë jashtë kontrollit”, duke iu referuar marrëdhënieve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

“Mund të jetë rreth 60 miliardë dollarë, por kjo është me të vërtetë një pjesë e asaj që po flasim”, tha ai, duke theksuar se “kjo është e para e shumë” veprimeve që administrata e tij do të ndërmarrë për të zvogëluar deficitin tregtar.

Deficiti tregtar i SHBA-së me Kinën ishte 375 miliardë dollarë në vitin 2017, ndërsa deficiti total tregtar u rrit për 12 për qind nga viti paraprak në 566 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Sipas dekretit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, detyra e caktimit të tarifave doganore shtesë dhe kufizimeve ndaj Kinës i është dhënë Departamentit të Thesarit dhe Përfaqësisë së Tregtisë (USTR).

Sipas kësaj, parashihet që ndaj disa produkteve me origjinë nga Kina të përcaktuara nga USTR të vendosen tarifa shtesë prej 25 për qind. Tarifat doganore në fjalë planifikohen të zbatohen në sektorin e mbrojtjes, aviacionit, teknologjisë informative dhe prodhimit. Lista e produkteve nga Kina që do të jenë subjekt i tarifave pritet të publikohet brenda 15 ditëve.

Në kuadrin e hetimeve të nisura nga USTR në gusht të vitit 2017, me arsyetimin se Kina ka vjedhur teknologjinë dhe sekretet tregtare të SHBA-ve dhe ka shkelur të drejtat e pronësisë intelektuale të kompanive amerikane, përveç vendosjes së detyrimeve doganore shtesë për qindra produkte kineze, priten edhe disa kufizime për investimet e kompanive kineze në SHBA.

Ndërkohë, presidenti amerikan Trump theksoi se marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve duhet të jenë “reciproke”, duke shtuar se qeveria e tij është duke negociuar me homologët e tyre kinezë.

Ai gjithashtu argumentoi se ka një çështje të vjedhjes së pronës intelektuale me Kinën, e cila kushton miliarda dollarë amerikanë çdo vit.

Administrata Trump gjithashtu ka imponuar tarifa prej 25 për qind në importet e çelikut dhe 10 për qind në importet e aluminit dy javë më parë, në një përpjekje për të ulur deficitin tregtar.

Megjithatë, tarifat ndaj Kinës mund të iniciojnë një luftë tregtare, ndërsa Pekini ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se do të vendosë tarifa për eksportet amerikane në Kinë.

Në vazhdën e shqetësimeve mbi një luftë potenciale tregtare, tregu i aksioneve në SHBA pësoi rënie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button