Rizgjidhet drejtori i RTVM-së që refuzoi t’i publikojë “bombat” e Zaevit
Bordi udhëheqës i Radio Televizionit të Maqedonisë ka mbajtur seancë për drejtor të ri ekzekutiv, ku është rizgjedhur Marjan Cvetanovski, ndërkaq për zëvendës të tij, gjithashtu është rizgjedhur, Harun Ibraimi, njofton Portalb.mk.
Cvetanovski do të mbahet mend si drejtor i shërbimit publik i cili ka refuzuar që t’i publikojë përgjimet e paligjshme të ashtuquajtura “bomba” të Zoran Zaevit, i cili atëherë e udhëhiqte opozitën me projektin “E vërteta për Maqedoninë”.
Cvetanovskit mandati i skadon në mars të këtij viti. Ai në këtë funksion si drejtor gjeneral e kryen dy mandate, nga vitit 2012. Cvetanovski vjet u ka shkruar letër kryeministri Zoran Zaev dhe ambasadorit të Amerikës, Xhes Bejli, në të cilën thotë se në periudhë të gjatë llogaria e shërbimit publik është e bllokuar për shkak të borxheve.
Sipas konkursit, kandidatët përskaj tjerash, duhej të dorëzonin program për punën e RTVM-së për tre vjet dhe të ketë mbi 5 vjet përvojë pune në komunikologji, gazetari, komunikime elektronike, informatikë, kulturë, ekonomi ose drejtësi. Mandati i drejtorit dhe zv/drejtorit të ri të RTVM-së do të zgjatë tre vjet me mundësi për rizgjedhje.
RTVM ka një ndër rejtingjet më të ulëta në Maqedoni dhe gjithnjë e më pak ka shikueshmëri.
Reagime për rizgjedhjen e drejtorit i cili cilësohet si kuadër i VMRO-DPMNE ka në rrjetet sociale, ku një ndër to është edhe ai i aktivistit Ognen Jneski i cili i numëron disa dështime të drejtorit i cili është rizgjedhur.
“Drejtori i rizgjedhur nuk a publikuar asnjë sekuencë nga “bombat”. Mos u shqetësoni se Stojançe Angellov dhe 5.000 persona tjerë bërtitnin përpara RTVM-së, kur fshihej e vërteta nga shërbimi publik, ose kur për këtë radiodifuzer nacional nuk ka ekzistuar kurrfarë marshi studentor ose të nxënësve të shkollave të mesme, ose kurrfarë zona autonome në Universitet, të cilat ndodhën përballë ndërtesës së RTVM-së. Pse të shqetësoheni, e dini të paktën se ku do të jeni mysafir i respektuar, nëse shkoni (pasi që ka pasur disa raste që kanë refuzuar të shkojnë në televizione tjera)”, thotë aktivisti Janeski.
Ndryshe, në mesin e lëshimeve që i kanë bërë udhëheqësit aktual të RTVM-së janë edhe ajo e plagjiatit, ku më së miri e vërteton vendimi i Komisionit për Ankesa në Këshillin për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM), ku më 30 nëntor të vitit të kaluar konfirmoi se RTVM 2 ka vjedhur tekst prej Portalb.mk duke mos e cituar burimin dhe me këtë e ka shkelur nenin 12 të Kodit të Gazetarëve. Kronikën me titullin origjinal të Portalb “Tetovë, ISHP: Nuk është i ndaluar përdorimi i ujit të pijshëm, por nuk ua rekomandojmë”, RTVM 2 e ka përvetësuar dhe të njëjtën e ka publikuar në ueb-portalin e tyre dhe njëkohësisht e ka bërë lajm kryesor të edicionit të lajmeve në orën 18:30, duke mos e theksuar burimin e informatës.
Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.