Shfaqje mode në Tanzani që thyen tabutë për njerëzit Albino

Ambasadori i Turqisë në Tanzani, Ali Davutoglu, ka organizuar në rezidencën e tij në Dar es Salaam një shfaqje mode që për modele kishte njerëzit Albino, me qëllim të thyerjes së tabuve të cilat i shoqërojnë njerëzit me këtë çrregullim gjenetik në Afrikë, raporton Anadolu Agency (AA).

Të veshura me fustane mbresëlënës, modelet Albino bënë debutimin e tyre në skenën e modelimit, ndërkohë që parakalimi u shoqërua me fishkëllima dhe duartrokitje të mysafirëve të ftuar në shfaqjen e parë të këtij lloji “Lëkura Ime, Krenaria Ime”.

Eventi në fjalë u organizua nga fondacioni Brigitte Alfred, ku në cilësi të nikoqires ishte bashkëshortja e ambasadorit të Turqisë, Yesim Davutoglu, dhe për qëllim kishte çrrënjosjen e miteve për albinizmin dhe dhënien fund të persekutimit të njerëzve me këtë çrregullim.

Në mesin e personaliteteve që parakaluan në tapetin e kuq, ishte edhe ish miss Tanzania, Jacquiline Mengi, tashmë një grua e suksesshme në industrinë e modës, por padyshim, yjet kryesore të mbrëmjes ishin modelet e bukura albino, të veshura me fustane elegantë nga dizajnërët më të mirë të vendit.

Evente të ngjashme më parë ishin organizuar edhe në Kenia dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

Persekutimi

Mbi 75 afrikanë Albino, me mungesë të pigmenteve në lëkurë, flokë dhe në sy, janë vrarë në dekadën e fundit në këtë shtet të Afrikës për “qëllime të magjisë së zezë”, flasin të dhënat e Kombeve të Bashkuara, shumë nga të cilëve u janë gjymtuar pjesët e trupit.

Autoritetet e Tanzanisë akuzojnë fallxhorët që i përkasin feve vendase se besojnë se organet e Albinëve janë ilaç për shumë sëmundje dhe nxisin rrëmbimin dhe vrasjen e tyre. Ndërkohë që organet e Albinove përdoren nga fallxhorët për magji të ndryshme, disa njerëz besojnë se marrëdhëniet seksuale me ta mund të kurojnë sëmundjen e Sidës.

Qeveria e Tanzanisë në kuadrin e parandalimit të vrasjeve të Albinove ka shpallur si të palejuar magjinë. Në shtator të vitit 2017, gjykata në Tanzani dënoi gjashtë burra me nga 20 vite burg secili, sepse kishin prerë dorën e një albini.

Thyerja e barrierave

Shefja e fondacionit Brigitte Alfred, Brigitte Lymo, tha se shfaqja e modës e organizuar, synon të heqë barrierat për këta njerëz.

“Dëshirojmë t’i tregojmë botës se personi që vuan nga albinizmi është po aq i aftë, sikurse edhe njerëzit e tjerë”, tha ajo, për të shtuar se një qëllim tjetër i kësaj shfaqjeje, ishte inkurajimi i albinove që të ndjehen komod në lëkurën e tyre.

“Jam e bindur se mund të arrijmë këtë qëllim. E them këtë, duke u bazuar në reagimet që vinë në adresën tonë, prandaj them se jemi afër fundit të stigmatizimit të këtyre njerëzve”, tha më tej Lymo.

Në fjalimin e saj në eventin “Lëkura Ime, Krenaria Ime”, Yesim Davutoglu, tha se eventi synon ndërgjegjësimin se njerëzit Albino meritojnë të gëzojnë të drejtat themelore të njeriut. Ajo u shpreh e bindur se sa më shumë evente të tilla, aq më shpejtë do të thyen mitet për Albinot.

“Nevojitet rivendosja e respektit për njerëzit të cilët jetojnë me lëkurë të tillë”, u shpreh Yesim Davutoglu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button