Hardinaj pezulloi vendimin për rritjen e pagave

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka pezulluar vendimin për rritjen e pagës së tij dhe stafit qeveritar.

Ai ka thënë se pezullimi do të vlejë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, Hardinaj thotë se vlerësimi i Agjencisë Kundër Korrupsion se ky vendim është i jashtëligjshëm është i paqëndrueshëm dhe i ndikuar politikisht.

“Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin. Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi. Shqetësimi im dhe i Qeverisë është se ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave. Pa marrë parasysh epilogun e kësaj çështjeje, ne do të përpiqemi që të gjejmë mënyrën për të siguruar përkrahjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët në vend”, tha Haradinaj.

Përndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit ditë më parë e shpalli të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Kjo Agjenci, në opinionin e saj, ka thënë se zyrtarët e lartë publikë (kryeministri, zv.kryeministrat, ministrat dhe zv.ministrat) që kanë votuar këtë Vendim “kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit ‘rast për rast’, dispozitat e caktuara që rregullojnë ‘Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë’, si dhe me shumicën e dispozitave që përcaktojnë ‘Parimet e veprimit dhe mos veprimit të zyrtarit të lartë publik”.

Për rritjen e pagës të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj pati reagime të shumta në publikun kosovarë, si rezultat i së cilës u realizua edhe aksion humanitar ku Haradinajt iu dhuruan kravate dhe çorape.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button