Tiranë, studentët me protesta kërkojnë uljen e tarifave të studimit

Një grup prej dhjetëra studentësh nga fakultete të ndryshme të vendit kanë protestuar në Tiranë, duke kërkuar që të ulen tarifat studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Studentët protestues janë mbledhur fillimisht në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa më pas kanë marshuar gjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të ndaluar para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Qëllimi i protestës sipas tyre është që të kërkojnë përgjysmimin e tarifave studimore në të gjitha degët dhe nivelet e studimeve, të hiqet barra financiare për certifikimin e gjuhës së huaj, si dhe të hiqet pagesa dyfish e krediteve për provimet e mbartura.

Ndërkohë lidhur me protestën e sotme, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku në një njoftim thekson se nuk ka rritje tarifash për nivelin e parë të studimeve, dhe se janë të njëjta të paktën 4 vitet e fundit për studentët në universitetet publike.

“Në kuadër të autonomisë universitare këto tarifa nuk vendosen më nga qeveria, por nga vetë universitetet. Çdo universitet vendos vetë politikat që ndjek për sa u përket studentëve ngelës, të cilët nuk paguajnë tarifë të dyfishtë kur ngelin dhe përsërisin vitin. Por në rast të mos marrjes së një provimi disa herë, gjë e cila shton koston për universitetin, aplikohet një tarifë minimale që e vendos universiteti. Certifikimi i gjuhës së huaj nga institucionet ndërkombëtare është parë si mundësi që çdo student që diplomohet të jetë konkurrues në tregun e punës”, thuhet në reagimin e MASR-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button