NË PRESIDENCË ERDHI NJË PRESIDENT…

Shkrimtari argjentinas, Jorge Luis Borges-i, kjo mendje e thellë sa universi, një shkrimtar erudit dhe krijuesi i një botë të çuditshme e të magjishme, disi të shkëputur nga realiteti, nuk e duronte presidentin argjentinas, Peronin.

Shkrimtarët shpesh herë bien në konflikt me autoritetet politike. Ndonjëherë, për çudi, mahniten prej tyre.

I tillë ishte edhe Borges-i, që ra në konflikt me një president, por qe mahnitur prej një tjetri.

Në kohën kur Peroni ishte president Borgesin e emëruan inspektor tregjesh publike. Borges-i, që e refuzoi këtë emërim, thoshte: “Në presidencë erdhi një president, të cilit nuk kam dëshirë t’ia përmend emrin”.

Më vonë tha për Peronin se ishte “një fundërrinë që e prishi të gjithë vendin”, kurse për përkrahësit e presidentit tha se asnjëherë nuk kishte takuar ndonjë njeri që të ishte edhe i zgjuar edhe peronist.

Presidenti Peron, megjithatë, nuk i ngjante presidentin të Republikës Dominikane, Joaquin Balaguerit, për të cilin na flet Mario Vargas Llosa te “Festa e Cjapit”.

Balagueri, ndryshe nga Peroni, vetëm i miratonte vendimet e të tjerëve.

Balagueri, ky president kukull, vetëm i miratoi urdhrat e diktatorit Trujillo, në kohën e të cilit nxënësit recitonin nëpër shkolla: “Zoti, atdheu dhe Trujillo“.

Balagueri miratoi edhe urdhrat e shefit famëkeq të shërbimit sekret Xhoni Abesit.

Balagueri kënaqej me gradat e pushtetit.

Balagueri punoi vetëm për Balaguerin.

Balagueri, ky president heshtak, një mumie e heshtur, që miratonte vendimet e çmendura të diktatorit dhe kështu e mbronte “lëkurën e tij”, sapo Trujillo nuk ishte më dhe sapo Xhoni Abesi e kishte humbur fuqinë, mori një vendim të zgjuar dhe e mbrojti vendin nga gjakderdhja.

Historia përsëritet, por jo çdo president mund të marrë një vendim të zgjuar, qoftë një herë të vetme përgjatë jetës së tij politike.

Ka prej tyre që gjithë jetën mbeten si kukullat ruse të quajtura matrioshka.

Presidentët e këtillë, që nuk dua t’ua përmend emrat, janë fatkeqësia e një kohe dhe mund të jenë personazhe për komediografët e ardhshëm…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ose, ne shqiptari erdhi nje lider. ketu do ta kisha shtuar fjaline tende te fundit.
    tekst i shkelqyeshem. iluminist.
    hajde Salo botojme perzgjedhje te kolumnave te deritanishme.
    dhe migrojme ne Shqiperi
    ti as atje nuk ke konkurrence
    gjithmone e them, por pse mos thuhen te vertetat qe bien ne sy
    edhe te vertetat, e hidhura, politike, gjithashtu.
    edhe dicka qe e them perhere
    politikanet, shqiptare e maqedon, jane pjesa me pak e arsimuar, me pak e lexuar, me pak intyeresantja dhe me pak e moralshmja nga shtresat shoqerore
    secili, qe e ka mendjen paakez esell, e veren kete, e ndjen ne cilesine e jetes se pergjithshme
    krejt dallimi eshte se dikush e thote e dikush e hesht
    e dikush thelle i hyre ne ato formula partiake te bezdisshme, per shoqerine te demshme, dhe aspak interesante

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button