Deklarata e përbashkët e partive shqiptare realizohet me shpejtësinë e breshkës
Një viti pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët nga partitë politike shqiptare të Maqedonisë në Tiranë, disa nga pikat e përmendura u realizuan dhe për tjerat ende duhet të pritet, njofton Portalb.mk. Edhe pse kjo deklaratë nuk kishte afatizim kohor se deri kur do të duhej të realizohen elementet që përmban ajo, partitë politike shqiptare të cilat edhe e nënshkruan atë kanë mendime të ndryshme rreth asaj se çfarë është bërë deri më tani, kurse njohësit e çështjeve politike shprehën me pesimist lidhur me atë se çfarë mund të realizohej brenda një viti.
Sefer Selimi nga Democracy Lab thotë për Portalb.mk se deklarata e partive politike shqiptare ishte e pasinqertë dhe manipulative prej ne fillim.
“Deklarata e partive politike shqiptare ishte e pasinqertë dhe manipulative prej ne fillim. Dështimi i saj filloi nga parimi kryesor i Tryezës së përbashkët të partive politike shqiptare e cila u shndërrua në një shfaqje të keqe dhe që u përdor për denigrimin politik të oponentit, mes po të njëjtave parti nënshkruese të asaj deklarate. Realizimi i pikave të kësaj deklarate është pothuajse në pikën zero. Nga të gjitha pikat, partitë ose kanë reteruar ose nëse kanë qenë në përputhje me programin e LSDM-s janë bërë pjesërisht pjesë e programit qeveritar. Për më tepër, ajo u përdor nga VMRO dhe qarqe nacionaliste si kalë beteje për të nxitur urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe e bëri praktikisht të pamundur zbatimin e saj, të paktën në kuadër të këtij mandati qeveritar”, tha për Portalb Selimi.
Ai shtoi se që kjo deklaratë do të ngelet në sirtarët e dështimeve politike të partive shqiptare.
“Kjo edhe një herë dëshmon se partitë shqiptare në Maqedoni kanë nevojë të reformojnë thellësisht veten dhe të krijojnë brenda vetes struktura serioze që do të analizojnë dhe rekomandojnë politika të zbatueshme, që realisht avancojnë pozitën e shqiptarëve si qytetarë të Maqedonisë dhe jo të dalin me ad-hok propozime të cilat më shumë e dëmtojnë se sa e ndihmojnë pozitën e tyre. Unë mendoj që kjo deklaratë do të ngelet në sirtarët e dështimeve politike të partive shqiptare si rezultat i mungesës së seriozitetit, sinqeritetit dhe deformimit moral politik në të cilën janë degraduar aktualisht”, shtoi Selimi.
Nga ana tjetër profesori universitar Jeton Shasivari shprehet më optimist duke thënë për Portalb.mk se me të gjitha peripecitë dhe mangësitë, megjithatë po shihet se disa pika të kësaj deklarate janë në proces të realizimit.
“Deklarata e partive politike shqiptare në RM, me të gjitha peripecitë dhe mangësitë, megjithatë po shihet se disa pika të kësaj deklarate janë në proces të realizimit, si për shembull: Lidhur me pikën 1 të saj, më 11 janar u votua në Parlament ligji për përdorimin e gjuhëve; Lidhur me pikën 3 të saj, pra, zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova”, Gjykata supreme para do kohe, për rastin “Monstra” pas rreth 6 vite të kaluara në paraburgim, nxorri vendimin për heqjen e paraburgimit dhe mbrojtjen në liri; poashtu para do kohe, rasti “Sopoti” i është bartur në kompetencë Prokurorisë Speciale; lidhur me rastin “Lagjja e trimave”, kryeministri Zaev disa herë publikisht ka theksuar se, nevojitet një përfshirje e ekspertëve ndërkombëtarë për zbardhjen e plotë të së vërtetës.
Lidhur me pikën 5 të saj, pra zgjidhja e çështjes së emrit përmes përfshirjes së shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë, shihet që ka një përfshirje aktive të zv/kryeministrit shqiptar për çështje evropiane; Lidhur me pikën 6 të saj, pra, marrëdhëniet e mira me fqinjët, mbajtja e seancave të përbashkëta qeveritare me Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë, si dhe ratifikimi në Parlament i marrëveshjes për bashkëpunim me Bullgarinë flasin për realizimin e pikës 6 të kësaj deklarate, etj”, tha për Portalb, Shasivari.
Megjithatë ai shtoi se kjo deklaratë ka mundur të realizohet shumë më tepër brenda këtij mandati qeveritar.
“Kuptohet se, kjo deklaratë ka mundur të realizohet shumë më tepër brenda këtij mandati qeveritar, në veçanti pika 2 e saj lidhur me arritjen e barazisë ekonomike dhe mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal, mirëpo, shkaku i animozitetit midis liderëve të këtyre partive politike, sidomos pas zgjedhjeve lokale që shkaktoi prishjen e kohezionit ndërpartiak politik midis BDI-së dhe ASH-së nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, prishja e kohezionit brendapartiak në Lëvizjen Besa, shkaktuan bllokadën e realizimit të pikave të mbetura të kësaj deklarate për shkak të prishjes së agjendës së përbashkët politike të këtyre partive politike”, shtoi Shasivari.
Ndryshe, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët para një viti shprehën përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.
Pas një viti, ja çfarë u realizua nga “Deklarata e përbashkët e partive shqiptare”