Pas një viti, ja çfarë u realizua nga “Deklarata e përbashkët e partive shqiptare”
Një viti pas nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët nga partitë politike shqiptare të Maqedonisë në Tiranë, disa nga pikat e përmendura u realizuan dhe për tjerat ende duhet të pritet, njofton Portalb.mk. Edhe pse kjo deklaratë nuk kishte afatizim kohor se deri kur do të duhej të realizohen elementet që përmban ajo, partitë politike shqiptare të cilat edhe e nënshkruan atë kanë mendime të ndryshme rreth asaj se çfarë është bërë deri më tani.
Portalb.mk ju prezanton pikat kryesore të Deklaratës dhe çfarë është bërë deri më tani.
Në Deklaratën e përbashkët kërkohet | Çfarë u realizua |
Barazi të plotë gjuhësore dhe përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes. | Më 11 janar u votua Ligji për përdorimin e gjuhëve. |
Debat mbi flamurin, himnin dhe stemën e shtetit për të pasqyruar shoqërinë multietnike. | – |
Krijimi i një komisioni shtetëror për financimin e komunave dhe një ministrie për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndëretnike për të inkurajuar zhvillimin ekonomik dhe social në zonat e pazhvilluara | U bë hapja e postit për Zëvendëskryeministër për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe sistemin politik, postin e mban Hazbi Lika nga BDI |
Përfaqësim i barabartë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe drejtësisë në të gjithë qeverinë qendrore, shërbimet publike ose ndërmarrjet publike | – |
Promovimi i statutit të Shqiptarëve në Maqedoni si të barabartë me shtetasit maqedonas | – |
Kushtetuta e Maqedonisë duhet të përcaktojë se gjuha maqedonase me alfabet cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë | Më 11 janar u votua Ligji për përdorimin e gjuhëve. |
Zbardhja e plotë e proceseve gjyqësore si : Sopoti, Brodeci, Monstra dhe Kumanova, nëpërmjet një komisioni investigues të veçantë osë nga ndërkombëtarët. |
Për rastin e Kumanovës, kryeministri Zoran Zaev në intervistën e Vitit të Ri tha se duhet të kyçen ekspert ndërkombëtar i cili do ta zbulon të vërtetën. |
Në Kuvend të adoptohet Rezoluta me të cilën do të dënohet gjenocidi ndaj Shqiptarëve në periudhën 1912-1956 | – |
Partitë politike shqiptare në bazë të dokumentit të deklaruar, do të angazhohen për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, si alternativa e vetme për ‘prosperitetin afatgjatë dhe stabilitetin e vendit’ | – |
Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare | Tryeza është jo-funksionale. Partitë mbajtën vetëm 4 takime të gjitha u bojkotuan nga Lëvizja BESA. Takimi i fundit ishte para gjashtë muajve. |
Përfshirja e shqiptarëve në grupën punuese për bisedimet direkte me Greqinë | Bujar Osmani, zëvendëskryeministri është i kyçur direkt në bisedimet lidhur me çështjen e emrit me Greqinë |
Marrëdhënie të mira me fqinjët, bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin dhe integrimin e kufijve. Hapjen e pikave të reja kufitare. | U nënshkrua Marrëveshje për bashkëpunim me Bullgarinë, u mbajt takim i përbashkët me Qeverinë e Kosovës si dhe mbledhje e përbashkët qeveritare me Shqipërinë. Zaev dhe Haradinaj biseduan edhe për hapjen e pikës së re kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës. |
Ja çfarë thonë partitë shqiptare për Portalb.mk, sa janë të kënaqura.
Ahmeti: Pjesa kryesore nga kjo marrëveshje e partive politike shqiptare është realizuar
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha për Portalb.mk se deklarata e përbashkët është duke u realizuar.
“Pjesa kryesore nga kjo marrëveshje e partive politike shqiptare është realizuar, apo ka filluar të realizohet siç është zyrtarizmi i gjuhës shqipe gjithashtu ju vetë e keni parë që ka shumë deklarime nga autoritet vendore për të pasur një monitorim ndërkombëtar ndaj disa proceseve gjyqësore që janë bërë në Maqedoni, siç është rasti Monstra dhe Kumanova dhe raste të tjera dhe tani më këtu ka një vullnet të fortë që këto raste të monitorohen me ekspert ndërkombëtar për tu zbardhur dhe çështje tjera që janë të përfshira në marrëveshje janë në rrugë e sipër drejt zbatimit. Deklarata e përbashkët është pasqyrim i programeve politike të partive shqiptare dhe unë përpiqem të realizoj programin kombëtar të bashkimit demokratik për integrim”, tha për Portalb, Ahmeti.
ASH: Maqedonasit është mirë të binden se kjo deklaratë e bën Maqedoninë më demokratike
Flakron Bexheti nga rradhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH) tha për Portalb.mk se Tryeza e përbashkët domosdoshmërish duhet të funksionoje, dhe të plotësohet edhe me elemente tjera drejt një barazie te plotë politike ekonomike, kulturore mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni.
“Tryeza e përbashkët politike që rezultoi me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët të Liderëve të partive parlamentare shqiptare ishte një moment i rëndësishëm që hapu dialogun brenda partiak shqiptar , dhe i unifikoj objektivat politike në interes të çështjes shqiptare në Maqedoni. Ne si subjekt politik dhe Lideri ynë Ziadin Sela kemi qenë ndër projektuesit e kësaj ideje, duke kontribuar që kjo tryezë të bëhet bazament i një veprimi afatgjatë politik. Kemi qenë nikoqir të tryezës dhe jemi përgjigjur gjithmonë ftesës për tryezën politike ku është diskutuar për deklaratën e përbashkët politike, dhe sot Ligji i gjuhës shqipe dhe çmontimi i rasteve te montuara politike është rezultat edhe i Deklaratës se partive politike qe u përfshi në programin qeveritar. Tryeza e përbashkët domosdoshmërish duhet të funksionoje, dhe të plotësohet edhe me elemente tjera drejt një barazie te plotë politike ekonomike, kulturore mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni”, tha për Portalb, Bexheti.
Ai shtoi se edhe pala maqedonase është mirë të bindet se kjo deklaratë e bën Maqedoninë më demokratike.
“Edhe pala maqedonase është mirë të bindet se kjo deklaratë e bën Maqedoninë më demokratike dhe me evropiane duke i përfaqësuar në mënyrë të barabartë të drejtat kolektive të një etnikumi që janë të garantuara me konventa ndërkombëtare. Implementimi i pikave të kësaj deklarate politike do t’i ndihmojë rrugëtimit dhe aderimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në BE dhe NATO”, tha Bexheti.
Lëvizja BESA1: Deklarata gjithnjë e më shumë po zbehet dhe po harrohet, ndërsa në skenë po mbetet vetëm zhurma që u krijua prej saj
Zeqirija Ibrahimi për Portalb.mk tha se Lëvizja BESA në marrëveshjen e ofruar për bashkëqeverisje e kishte vënë edhe “implementimin e Deklaratës së Partive Politike Shqiptare”, sepse ashtu kishte pranuar dhe ashtu ishte dakorduar, nga ajo që doli në opinion pastaj rezultoi se partia shqiptare që pranoi të marrë pjesë në pushtet as që e kishte cekur diku Deklaratën.
“Qysh në krye të herës ne kishim hezitime se a bëhej ajo Deklaratë për kalkulimet politike të momentit politik (sepse asnjëherë askush më parë nuk kishte kërkuar diçka të tillë dhe vetëm pasi që iu përgjysmuan votat kërkonte Deklaratë) apo për të zgjidhur realisht ndonjë gjë, ndërsa sot jemi të bindur se ajo është bërë vetëm për pikën e parë të asaj që e thashë më sipër. Derisa Lëvizja BESA në marrëveshjen e ofruar për bashkëqeverisje e kishte vënë edhe “implementimin e Deklaratës së Partive Politike Shqiptare”, sepse ashtu kishim pranuar dhe ashtu ishim dakorduar, nga ajo që doli në opinion pastaj rezultoi se partia shqiptare që pranoi të marrë pjesë në pushtet as që e kishte cekur diku Deklaratën. Kjo na shtyn të mendojmë se asaj (dhe mbase dikujt tjetër) iu ka dashur Deklarata për të shfaqur paternalizëm, por realisht e ka pasur atë sa për sy e faqe – në kthesën e parë ka hequr dorë prej saj. Në të vërtetë, si shumë interesa shqiptare që i kanë trajtuar ashtu gjatë këtyre viteve”, tha për Portalb, Ibrahimi.
Ai shtoi se për fat të keq, ajo gjithnjë e më shumë po zbehet dhe po harrohet, ndërsa në skenë po mbetet vetëm zhurma që u krijua prej saj.
“Sidoqoftë, meqë nuk jemi njerëz që heqim dorë nga diçka për të cilën jemi marrë vesh, ne mbetemi në qëndrimin se Deklarata (me gjithë formulimet jo edhe krejt të qëlluara), duhet të jetë një kornizë e pjesëmarrjes së partive shqiptare në pushtet. Për fat të keq, ajo gjithnjë e më shumë po zbehet dhe po harrohet, ndërsa në skenë po mbetet vetëm zhurma që u krijua prej saj. Shembull i tillë është ligji për përdorimin e gjuhëve, që është në kundërshtim me Deklaratën, e që mburravecët nuk prajnë duke e quajtur “për zyrtarizmin e gjuhës shqipe”, shtoi Ibrahimi.
Lëvizja BESA2: Ka më shumë elemente që kanë mundur që brenda këtij viti të përmirësohen
Fadil Zendeli nga radhët e Lëvizjes BESA tha për Portalb.mk se ka më shumë elemente që kanë mundur që brenda këtij viti të përmirësohen nga ajo që u shkrua në Deklaratë, siç është sundimi i së drejtës, reforma në organet e inteligjencës, nuk ka përparim në përfaqësimin e shqiptarëve në institucione të ndryshme shtetërore, ne sferën ekonomike kemi diskriminim të shqiptarëve por edhe në ndarjen e mjeteve buxhetore në komunat shqiptare
“Është dokument gjithëpërfshirës, më tepër dimensional. Ka më tepër elemente dhe nuk mund të shihet vetëm në kontekst të një segmenti ose një çështje. Nëse e shohim si tërë dokumentin për vitin e parë nuk mund të jemi të kënaqur me atë se çka paraqit ’te ky dokument , nëse me vëmendje analizohen të gjitha pikat e deklaratës do të shohim se vetëm te çështja e gjuhës kemi ligj të ri, edhe pse ky ligj nuk është konform deklaratës dhe ajo që ishte synimi i partive politike shqiptare. Ky ligj është thjesht avancimi i saj. Ka më shumë elemente që kanë mundur që brenda këtij viti të përmirësohen, siç është sundimi i së drejtës, reforma në organet e inteligjencës, nuk ka përparim në përfaqësimin e shqiptarëve në institucione të ndryshme shtetërore, ne sferën ekonomike kemi diskriminim të shqiptarëve por edhe në ndarjen e mjeteve buxhetore në komunat shqiptare. Me një fjalë nuk kemi ndonjë përparim të veçantë të asaj që ishte obligim apo detyrim i partive politike shqiptare që janë në qeverisje, pasi që ato kanë përgjegjësinë më të madhe për shkak se ato menaxhojnë me paratë dhe institucionet dhe nga ana e tyre është dashur të bëhet një angazhim më i madh në drejtim të realizimit të më tepër detyrimeve që dalin nga kjo deklaratë”, tha për Portalb, Zendeli.
Ai tha se edhe pse nuk është përcaktuar afat kohor i realizimit të saj, pritjet kanë qenë më të mëdha në vjetorin e parë.
“Edhe pse nuk është përcaktuar koha, do të thotë se nuk është një deklaratë e cila duhet të plotësohet brenda një viti sepse ka shume elemente brenda por me siguri që unë si përfaqësues i një subjekti politik dhe si deputet kam prit më shumë në këtë drejtim”, shtoi Zendeli.