‘Qeveria Thaçi’ njeh kushtetutën e Serbisë!

“Qeveria e Kosovës ka bërë koncesionin e radhës. Pas deklaratave të shpeshta muajve të fundit se nuk do të lejojë organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Republikën e Kosovës, Qeveria përmes një komunikate për shtyp ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në mes të OSBE-së dhe qeverisë së Serbisë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës”, thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Qeveria e Kosovës po tenton të shfajësohet duke thënë se OSBE-ja do të organizoje zgjedhjet e jo Republika e Serbisë, mirëpo sipas deklaratave edhe të OSBE-së e edhe të qeverisë së Serbisë, OSBE vetëm do të monitorojë dhe do të lehtësojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë me një ekip prej 35 monitoruesish”.

“Qeveria, në komunikatën për këto zgjedhje, thirret në parimet dhe vlerat evropiane duke mundësuar qytetarëve me shtetësi të dyfishtë pjesëmarrjen në zgjedhje. Mirëpo, Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe në kushtetutën e saj Serbia Kosovën e paraqet si pjesë të pandashme të saj”.

“Edhe këto zgjedhje Serbia i organizon në bazë të kushtetutës së saj ku qytetarët e Serbisë në gjithë territorin e saj do të votojnë për president dhe për parlamentin e ardhshëm të Serbisë. Pra, qeveria e Kosovës, po ja mundëson Serbisë respektimin e Kushtetutës së vet në territorin e Kosovës. Si edhe disa herë më parë, gjatë dialogut të qeverisë Thaçi me Serbinë, kjo qeveri po ja njeh Serbisë kushtetutën e saj, dhe automatikisht po e mohon shtetësinë e Republikës së Kosovës”.

 
“Nuk mund të shtiremi se marrëdhënia e Kosovës me Serbinë është marrëdhënie normale, dhe se organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është një problem teknik i monitorimit të OSBE-së. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës është vendim thellësisht politik, dhe është shkelje e rëndë e integritetit territorial e institucional të Republikës së Kosovës. Këtë e ka thënë edhe qeveria e Kosovës javëve të fundit edhe me veprimet e saj sporadike të konfiskimit të materialit zgjedhor”.

“Në qoftë se e gjitha paska qenë vetëm problem i monitorimit nga OSBE-ja atëherë, pse Policia e Kosovës paska konfiskuar material zgjedhor dhe paska arrestuar njerëz që kanë shpërndarë këtë material, kur dihet se në ndërkohë nuk ka ndryshuar as materiali zgjedhor e as ndonjë ligj apo rregullore për këto zgjedhje as në Kosovë e as në Serbi?!”.

Lëvizja VETËVENDOSJE edhe njëherë rikonfirmon kundërshtimin e mbajtjes së çfarëdo zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës. Një Qeveri legjitime dhe demokratike, çfarë nuk është kjo Qeveri aktuale, do t’i pengonte këto zgjedhje e nuk do t’i mirëpriste ato”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Vetëvendosjes. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button