Këshilla: Si të jeni më produktiv dhe të lumtur

Duke qenë se jam në shkollë, punë dhe kurs, gjatë këtyre ditëve pushim jam menduar shumë sesi ta bëj 2018 më produktive dhe se si mund të gjej edhe pak kohë për veten time. Mendoj se edhe shumë e shumë prej jush ndajnë të njëjtin problem me mua në menaxhimin e kohës dhe vendosa të shkruaja disa sugjerime, me shpresën se do ju ndihmojnë sado pak.

1. Zgjohuni herët në mëngjes
Vendosini qëllim vetes të zgjoheni sa më herët. Nuk keni pse bëheni gati shpejt e shpejt dhe stresoheni në mëngjes për 1 orë gjumi më shumë. Hani diçka, pini një gotë çaj ose kafe dhe do jeni plot energji për ditën që ju pret.

2. Mbani një bllok shënimesh
Çdo mbrëmje bëni një listë të gjërave që duhet të mbaroni ditën që vjen. Kur e them këtë, nuk e kam fjalën të ktheheni në robotë dhe të krijoni një rutinë të mërzitshme, por ta organizoni ditën në mënyrë sa më produktive duke mos harruar asgjë e sidomos ato më të rëndësishmet. Jeni njerëz dhe mund të ndodhë që edhe të harroni, por një bllok i tillë nuk do ju linte ne baltë. Mund të provoni edhe alarmet në telefon nëse nuk ju pëlqen ideja e bllokut.

3. Zgjidhini rrobat që në mbrëmje
Mund të duket si diçka e vogël, por vajzat që kujdesen shumë për veshjet e tyre më kuptojnë më së miri. Ka ditë që nuk je fare në humor dhe nuk mund të vendosësh se çfarë të veshësh, si pasojë bëhesh vonë për në shkollë a punë dhe ato minutat e qetësisë që doje t’ia kushtoje vetes zhduken si pa u kuptuar. Prandaj, shikoni parashikimin e motit në mbrëmje dhe vendosni se çfarë do të vishni ditën e nesërme. Do e falenderoni veten, më besoni!

4. Zgjidhini mirë personat me të cilët do kaloni kohën
Duke u rritur kuptojmë se koha është vërtet e çmuar, prandaj zgjidhini mirë personat me të cilët e ndani ditën apo qoftë edhe një kafe. Çdo sekondë vlen dhe mund të sjellë një ndryshim në jetën tuaj! Qëndroni me persona pozitivë, punëtorë e të dashur, me persona që besojnë në bukurinë e ëndrrave tuaja e jo me ata që nga çdo fjalë që nxjerrin, lëshojnë vetëm energji negative!

5. Më pak Instagram, më shumë libra
Nuk më lejohet ta them këtë sepse jam një blogere dhe Instagrami më ka ndihmuar pafund e është tejet i nevojshëm për mua, por njerëzit po bëhen të varur prej tij dhe kjo është shumë e gabuar. Përdoreni Instagramin për t’u frymëzuar e për të frymëzuar, për të marrë e për të dhënë diçka, por mos qëndroni orë e orë të tëra pas tij duke harruar realitetin. Këtë vit lerini më shumë kohë vetes për një libër të bukur apo kohë me të dashurit e zemrës.

6. Qëndroni pozitive
Nëse jeni gjatë gjithë kohës plot stres edhe ankth, nuk do mund të zgjidhni asgjë e aq më pak të gjeni pak minuta për veten tuaj. Këtë vit dhuroni dashuri e buzëqeshni më shumë. Bëni sa më shumë gjëra që ju pëlqejnë dhe thoni “Jo” kur duhet të thoni. Nuk keni pse bëni diçka nëse nuk e ndjeni. Merruni me një aktivitet fizik, hani shëndetshëm dhe kujdesuni për personat që doni. Mendoni pozitivisht, bëni mirë dhe universi do ju kthejë vetëm gjëra të bukura.

Shumë dashuri,
Arjena

Burimi: Revista Class

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button