“Brima”, maqedonasit dhe shqiptarët: çështja e emrit Maqedoni – Greqi të zgjidhet me referendum

Agjencia e pavarur që merret me matjen e mendimit publik, “Brima” me kërkesë të portalit “MKD” ka realizuar anketë për çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Nga anketa është përfunduar se shumica e shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni kërkojnë që zgjidhja e çështjes së emrit duhet të bëhet me referendum, njofton Portalb.mk.

“Për referendum janë 60,4 për qind e qytetarëve, ndërkohë që kundër janë 18,4%”, thuhet në publikimin e rezultateve të anketës

Krahas kësaj, shumica e qytetarëve të anketuar janë kundër ndryshimit të emrit, dhe se janë “për” që si përdorim ndërkombëtar të jetë referenca IRJM ndërsa në përdorim të brendshëm sërish të përdoret emri kushtetues, Republika e Maqedonisë.

Sipas kësaj del se qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë etnike të tyre, janë “kundër” ndryshimit të emrit të shtetit dhe janë për “mbajtjen e referendumit”.

Përjashtuar dy komponentët e mësipërme, qytetarët e Maqedonisë me përkatësi të ndryshme etnike, shqiptare dhe maqedonase kanë dallime të mëdha në llojin e përgjigjeve të dhëna në pyetjet tjera.

Në pyetjen “Se a jeni “për” ndryshimin e emrit të Maqedonisë për anëtarësim të saj në NATO?”, 35 për qind e qytetarëve kanë shprehur se janë “për”, kurse 49 për qind janë “kundër”. Krahas këtyre 49%, më shumë se 10% janë “kundër” anëtarësimin në NATO pavarësisht kushteve. Kjo nënkupton se më shumë se 50 për qind e qytetarëve janë kundër ndryshimit të emrit si kusht për hyrje në NATO.

Në këtë çështje, 81,4% e shqiptarëve janë shprehur se kishin pranuar një kusht të tillë, ndërkohë që 67,1% e maqedonasve thonë se nuk pranojnë një kusht të tillë.

“Kundër anëtarësimit në NATO janë 12,9% e maqedonasve, kurse 1,5 për qind e shqiptarëve”, thuhet në raport.

Qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë etnike të tyre, janë të pasigurtë se ku duhet të miratohet ndryshimi i emrit të Maqedonisë, “në Kuvend apo në organe tjera shtetërore”.

Përndryshe, ditë më parë edhe organizata joqeveritare “Evrothink” publikoi rezultate nga anketa e tyre që ka të bëjë me perspektiven evro-atlantike të Maqedonisë. Ndryshe nga “Brima”, “Evrothink” ka analizuar bindjet e qytetarëve edhe varësisht përkatësisë politike të tyre, dhe ka ardhur në përfundim, se përkrahësit e VMRO-DPMNE-së janë “kundër” BE-së dhe NATO-s.

Sipas rezultateve të publikuara nga “Evrothink”, përkrahësit e partisë Aleanca për Shqiptarët janë më pro evro-atlantik, krahasuar më përkrahësit e partive tjera politike në Maqedoni. Përkatësia politike e pjesëmarrësve në hulumtim është përcaktuar sipas asaj se “nëse do të kishte të dielën e ardhshme zgjedhje për cilën parti do të votonit?”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button