OVA dhe UTA

Nga titulli kuptohet që është harruar një TE dhe nuk është e vetmja gjë e harruar. Është e qartë që bëhet fjalë për Tetovën dhe kryetaren e saj Teuta. Emri madhështor si ai i mbretëreshës sonë ilire, por titulli duhet pasuar me bëmat e një të tille.

Kaluan më shumë se një muaj pas zgjedhjes ose sakrificës tetovare për të emëruar zonjën Teutë për së dyti herë në krye te Tetovës, jo më pak se një Mbretëreshë. Hera e parë në historinë e saj që tetovarët i japin një kryebashkiaku shans të dytë për të udhëhequr. Jo që shumë e deshëm por s’na pëlqeu kundërshtari i saj…

I dhamë një shans të dytë të na dëshmojë që nuk gabuam. Pa qëllim që t’ia vështirësojmë jetën, pasi që edhe po deshëm nuk do të mundeshim, pas së gjithash Mbretëresha jonë nuk mund të ketë jetë të vështirë… madje as ne, të paktën 10 ditë e 3 orë para Vitit të Ri 2018 Tetova të ketë një bredh në sheshin e “pahareshëm” dhe drita në këtë “terr” që të gëzohemi pa arsye. Dhe kjo jo sepse duam të krahasohemi me kryeqytetin tonë, Tiranën, të stolisur si mos më mirë e plot atmosferë festive, mu si metropolet e mëdha të botës.

E dimë të gjithë që Tetova “s’ka buxhet”, po kur ka pasur se, e dimë edhe që ka borxh 8 milionë hajt të themi 10 milionë, se s’janë shumë 2 milionë, por sa mund të jetë kostoja e dritave dhe bredhit. Fundi i fundit, ku janë stolisjet e vjetshme, apo mos i kanë shitur për ta mbushur buxhetin lokal. Në shtëpitë tona ne stolisim të njëjtin bredh që kemi stolisur që kur kemi qenë të vegjël.

Nuk kërkojmë që të realizohen premtimet  parazgjedhore menjëherë si: trajtimi i ujërave të zeza, zgjerimi i bulevardeve, rregullimi i shtretërve të lumenjve, rregullimi i sistemit dhe rrjetit të ujësjellësit, transporti publik, ndotja e ajrit, çerdhe dhe shkolla të reja për fëmijët, mos të flasim për “lukset” si biblioteka e teatri… lista është e pafund.

Kërkojmë shpresë, por ndoshta nuk e meritojmë luksin që të kemi drita për Vit të Ri në qytetin që ndoshta është harruar edhe nga Baba Dimri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button