Fitore e madhe për Trump, miratohet reforma e taksave

Senati amerikan i dha Presidentit Donald Trump fitoren më të madhe legjislative deri më tani, duke votuar në favor të projektligjit për reformin e sistemit të taksave, disa orë pasi edhe Dhoma e Përfaqësuesve i dha dritën jeshile, transmeton Top Channel.

Republikanët gëzojnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit. Procedura kërkon që projektligji të shkojë edhe një herë në Dhomën e Përfaqësuesve për aprovimin final. Kritikët e shohin paketën si një dhuratë për super të pasurit, por republikanët këmbëngulin se ulja e taksave për korporatat, bizneset e vogla e individët do të nxisë rritjen ekonomike. Zv/presidenti amerikan Mike Pence drejtoi votimin e më pas shpalli rezultatin.

“Votat pro janë 51, ato kundër 48. Projektligji i shkurtimit të taksave dhe punës miratohet”, tha Pence.

Menjëherë pas njoftimit të rezultatit protestuesit në galerinë publike të Senatit filluan të thërrisnin “Kill the bill” (vriteni projektligjin). Ata u shoqëruan jashtë nga forcat e sigurisë. Lideri i demokratëve, Chuck Schumer paralajmëroi republikanët se do të paguanin një çmim për legjislacionin e tyre të tmerrshëm, siç u shpreh, në zgjedhjet e mesit të mandatit vitin e ardhshëm.

Më herët, 12 republikanë dhe të gjithë demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve e kundërshtuan projektligjin, por e miratuan atë me 227 vota pro e 203 kundër mes ovacioneve e duartrokitjeve të republikanëve. Kryetari i Dhomës, Paul Ryan tha: “Sot ne po u kthejmë paratë e tyre popullit të këtij vendi. Fundja fundit, këto janë paratë e tyre”.

Projektligji redukton në mënyrë të përhershme nivelin e taksave për korporatat nga 35 në 21%, e gjithashtu përkohësisht edhe taksat për individët. Megjithatë, komisioni i përbashkët mbi taksimin pretendon se legjislacioni do të rrisë me 1.4 trilionë dollarë borxhin prej 20 trilionësh të vendit, përgjatë 10 viteve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button