Kryeprokurorja e përkohshme, ja cilat janë kompetencat që do të ketë

Pas betimit në Kuvend, Arta Marku do të ulet në poltronin e Prokurorit të Përgjithshëm, por përkohësisht deri në zgjedhjen e kryeprokurorit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, transmeton Lajmi fundit.

Po cilat do të jenë kompetencat e saj?

Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm ka të gjitha kompetencat ligjore të Prokurorit të Përgjithshëm.

Këto kompetenca, të cilat tashmë do të ushtrohen nga prokurorja Arta Marku, parashikohen në nenin 148/b të Kushtetutës dhe në nenin 38 të ligjit “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Kompetenca e parë është përfaqësimi i akuzës në Gjykatën e Lartë dhe çështjeve në Gjykatën Kushtetuese, me përjashtim të rastit kur përfaqësimi bëhet nga Prokuroria e Posaçme.

Në vijim, Prokurori i Përgjithshëm nxjerr udhëzime me shkrim për prokurorët dhe siguron mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorisë, përveç administratës së Prokurorisë së Posaçme.

Ai propozon dhe administron buxhetin e prokurorisë dhe raporton në Kuvend për çështjen e kriminalitetit.

Në pikën “e” të ligjit përcaktohet si kompetencë e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktimi i strukturës së përgjithshme dhe rregullores standard për funksionimin e prokurorive si dhe miratimi i organikës në Prokurorinë e Përgjithshme.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e Policisë Gjyqësore si edhe kërkon fillimin e hetimeve për shkelje disiplinore dhe ankesa ndaj oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Ndër të tjera, kryeprokurorja Marku do të administrojë sistemin e përgjimeve si edhe mund t’i kërkojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike ose hetime për shkeljet individuale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button