Policia gjermane kërkon Adil Öksüz-in për tentativën e grusht shtetit

 Policia gjermane është duke hetuar për pretendimet se një i dyshuar kryesor në tentativën e grusht shtetit të vitit të kaluar në Turqi është fshehur në Gjermani, raporton Anadolu Agency (AA).

Një zyrtar i lartë gjerman, i cili foli në kushte anonimiteti, për AA tha se pas një iniciative diplomatike turke të muajit të kaluar, autoritetet hetuan rreth pretendimeve se Adil Öksüz është parë në disa qytete të ndryshme në Gjermani.

“Deri më tani nuk kemi të dhëna që mbështesin pretendimet se Adil Öksüz mund të jetë në Gjermani. Mirëpo, autoritetet tona janë duke vazhduar hetimet mbi këto pretendime”, tha zyrtari, duke shtuar se Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) është duke ndërmarrë hapa mbi këtë çështje.

Burimet diplomatike turke po ashtu konfirmuan se Gjermania i është përgjigjur notës diplomatike të Turqisë, si dhe e ka informuar Ankaranë për rezultatet e hetimeve të tyre të deritanishme.

Adil Öksüz, lektor i teologjisë, akuzohet se është një ndër organizatorët në tentativën e grusht shtetit të 15 korrikut të vitit të kaluar, e cila ishte orkestruar nga organizata terroriste Fetullah (FETO). Öksüz, udhëheqësi i supozuar i rrjetit FETO brenda forcave ajrore turke, u arrestua në Ankara mëngjesin e 16 korrikut, por u lirua më pas dhe që nga ajo kohë është zhdukur.

Gjatë një konference shtypi, sot, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Johannes Dimroth, refuzoi të komentojë mbi raportimet e fundit të medias që pretendonin se Gjermania ka lëshuar “urdhër-arrest” për Öksüz-in. Qeveria turke, në muajt e fundit, dorëzoi disa nota diplomatike në shtetin gjerman, duke pyetur nëse pretendimet në gazeta të ndryshme turke ishin të vërteta.

Ankaraja u kërkoi autoriteteve gjermane të hetojnë pretendimet dhe nëse ekzistojnë prova se të njëjtat janë të vërteta, të ndërmarrin masat e nevojshme për të arrestuar Öksüz-in dhe ta dërgojnë atë në Turqi për t’u gjykuar.

FETO ishte duke zhvilluar një fushatë të gjatë për të kontrolluar shtetin nëpërmjet infiltrimit të institucioneve turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button