Fatura e “divorcit”, Britania do t’i paguajë 50 mld euro BE-së

Britania e Madhe i ka ofruar një “faturë divorci” të kripur Bashkimit Europian, me vlerë rreth 50 miliardë euro. Sipas BBC-së, nuk ka një marrëveshje përfundimtare mbi shifrën, por oferta është pritur pozitivisht nga Brukseli, transmeton Top channel.

Selia e qeverisë britanike “10 Downing Street” ka mohuar raportet se shifra përfundimtare mund të jetë 55 miliardë euro.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka thënë se Britania e Madhe duhet të bëjë një ofertë të ndershme për të ndihmuar në zhbllokimin e situatës aktuale.

“Tani është momenti që ta nxjerrim anijen nga shkëmbinjtë dhe të ecim përpara”, tha ai gjatë një udhëtimi në Bregun e Fildishtë, ku po merr pjesë në një takim me udhëheqës europianë dhe afrikanë.

Johnson tha se ai nuk do të përmendte shifra, por nënvizoi se të gjitha palët duan të shohin progres dhe të kalojnë në fazën e re të negociatave dhe diskutimeve mbi tranzicionin dhe marrëdhënien në të ardhmen.

Sasia e parave që Britania e Madhe do të paguajë si pjesë e “Brexit”-it ka qenë një nga pikat më të nxehta të raundit të parë të bisedimeve.

Në shtator, Theresa May sugjeroi se Britania e Madhe ishte e disponueshme të paguante rreth 20 miliardë euro dhe Bashkimi Europian kërkoi që shifra të rritej.

Britania shpreson të bëjë përpara dhe të nisë bisedimet për tregtinë, por BE-ja do ta bëjë këtë vetëm kur të vlerësojë se është arritur progres i mjaftueshëm në 3 fushat e tjera: të ashtuquajturën faturë të divorcit, të drejtat e qytetarëve europianë në Britani pas “Brexit”, si dhe kufiri me Irlandën.

BE thotë se Britania duhet të rregullojë llogaritë e saj para se të largohet, pasi ka ndërmarrë angazhime financiare që duhet të zgjidhen si pjesë e një marrëveshjeje totale. Britania e pranon se ka disa detyrime dhe ka premtuar se nuk do të nuk do të anashkalojë asnjë detyrim të sajin për periudhën aktuale të buxhetit të BE-së, nga viti 2014 deri në vitin 2020. Por problemi qëndron te detajet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button