Letër e hapur për kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi për lëndën “Mbështetje për ratifikim të Marrëveshjes së Parisit (Konventa mbi ndryshimet klimatike)”.

I nderuar kryetar i parlamentit të Republikës së Maqedonisë,

Së pari, më lejoni që të bëj një prezentim të shkurtër timin. Unë jam Afrim Osmani (profesor në fakultetin juridik pranë Universitetit të Tetovës), i njohur edhe si ndër ambientalistët më të njohur e më të shquar në vend, në rajon, si dhe më gjerë.

I nderuar kryetar i parlamentit të Republikës së Maqedonisë, përmes kësaj letre mora iniciativën që të kërkoj mbështetje nga shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilat ende nuk e kanë ratifikuar Marrëveshjen e Parisit, që këtë ta bëjnë në afat sa më të shkurtër kohor.

Qëllimi i kësaj iniciative është që edhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e shteteve të cilat e pranojnë marrëveshjen në fjalë, me qëllim të dhënies së kontributit pozitiv në ndryshimet klimatike dhe për ngrohjen globale, që përmes masave të ndërmarra sadopak të kontribuojnë në uljen e temperaturës globale.

Me ratifikimin e kësaj marrëveshje vjen në shprehje sakrifikimi i interesave personale, por në dobi të interesave të përgjithshme dhe mbarë botërore.

Ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor që e kanë nënshkruar, por që nuk e kanë të ratifikuar ende Marrëveshjen e Parisit, është edhe Republika e Maqedonisë.

Marrëveshja e Parisit u miratua më 12 dhjetor të vitit 2015, kurse u hap për ta nënshkruar më 22 prill të vitit 2016, ndërsa hyri në fuqi më 4 nëntor të vitit 2016. Qëllimet kryesore të marrëveshjes së Parisit parashihen në nenin 2:

  1. Ky Traktat, për forcimin e zbatimit të Konventës dhe caqeve të saja, ka për qëllim që ta përmirësojë përgjigjen globale përkundër kërcënimeve të ndryshimeve klimatike, në kontekst të zhvillimit të qëndrueshëm dhe përpjekjeve për çrrënjosjen e varfërisë, midis tjerash edhe me:
    1. Mbajtjen e rritjes së temperaturës mesatare globale nën 2 °C mbi temperaturën në periudhën para-industriale dhe duke bërë vazhdimisht përpjekje për të kufizuar  rritjen e  temperaturës në 1.5 °C mbi temperaturën në periudhën para-industriale, duke parë se me këtë dukshëm do të zvogëlohen rreziqet dhe ndikimet  e ndryshimeve klimatike; 
    2. Rritjen e aftësisë për adaptimin e ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike dhe për zhvillimin me emisione të ulëta të gazrave serë, në mënyrë që nuk do ta dëmtojë prodhimin e ushqimit; 
    3. Harmonizimin e rrjedhave financiare me mënyrat e arritjes së zhvillimit me emisione të ulëta të gazrave serë dhe një zhvillim i cili i reziston ndryshimeve klimatike.   
  2. Ky Traktat do të zbatohet me qëllim që ta pasqyrojë parimin e barazisë dhe përgjegjësitë e përbashkëta por të diferencuara me mundësi përkatëse, duke pasur parasysh rrethanat e ndryshme kombëtare.

Në shtojcë të kësaj letre ua dërgoj edhe Marrëveshjen e Parisit në gjuhën shqipe.

Me shpresë për ratifikim sa më të shpejtë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button