Shekerinska vlerësoi avancimin e marrëdhënieve Maqedoni-Bullgari

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, e cila gjendet për vizitë zyrtare në Bullgari, është takuar me kryeministrin e Bullgarisë, Bojko Borisov, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes së Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në një njoftim të Ministrisë bullgare të Mbrojtjes, në takimin trepalësh është diskutuar lidhur me marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin ushtarak dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë.

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Shekerinska, ka theksuar se bashkëpunimi i fundit mes dy shteteve ka treguar për vullnetin e fortë për gjallërimin e marrëdhënieve miqësore.

Shekerinska ka thënë se Marrëveshja e nënshkruar se fundmi mes dy vendeve për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim “nuk është vetëm një copë letre e thjeshtë, por platformë e cila mundëson një bashkëpunim produktiv në fusha të ndryshme”.

Ministrja Shekerinska ka theksuar se i vlerësojnë pozitivisht nismat dypalëshe për avancimin e bashkëpunimit reciprok, duke shtuar se së bashku me homologun Karakaçanov kanë rënë dakord për trajnimin e ushtrisë maqedonase në Bullgari, realizimin e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta dhe këmbimin e përvojave lidhur me integrimin në NATO.

Ministrja Shekerinska më herët vizitoi edhe Selinë e Ushtrisë së Bullgarisë.

Nga ana tjetër, ministri bullgar i Mbrojtjes, Karakaçanov, ka theksuar se “Bullgaria do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet e Maqedonisë për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian”.

“Prioritet i yni gjatë presidencës së Bullgarisë në Këshillin Evropian në gjysmën e parë të vitit 2018, do të jetë Ballkani Perëndimor”, ka thënë Karakaçanov.

Ai vuri në dukje se mes Bullgarisë dhe Maqedonisë nuk kanë ngelur çështje të hapura për debat pas firmosjes së marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, duke shtuar se ndihet tejet i lumtur nga intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe kohëve të fundit.

Në ndërkohë, në një njoftim të Kryeministrisë së Bullgarisë thuhet se qeveritë e dy vendeve do të takohen më 23 nëntor në Strumicë të Maqedonisë për të mbajtur një seancë të përbashkët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button