Shtyhet afati për paraqitje për pushim falas për punonjësit me të ardhura të vogla

Ministria e Ekonomisë sot e ka vazhduar afatin për aplikim për masën qeveritare për pushim falas për punonjësit me të ardhura të ulëta deri më 20 nëntor. Vazhdimi i afatit, theksojnë nga Ministria, është me qëllim që t’u mundësohet sa më shumë qytetarëve që i plotësojnë kushtet t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme të parashikuara me thirrjen publike.

“Deri më tani mbi 650 qytetarë kanë shprehur interes për shfrytëzimin e kësaj mase qeveritare dhe sipas fondeve të parashikuara për këtë qëllim, në vlerë prej 60 milionë denarë, vlerësohet se pushim pa pagesë do të mund të shfrytëzojnë 4.000 familje, në vlerë prej 15 mijë denarë, në njërin nga 60-të objektet hotelierike të kategorizuara në Republikën e Maqedonisë që janë paraqitur në Ministrinë e Ekonomisë për akomodimin e personave që do të shfrytëzojnë pushim pa pagesë”, thonë nga Ministria.

Thirrja publike është shpallur më 1 shtator të këtij viti, ndërsa të drejtë aplikimi kanë të gjithë personat fizik të cilët janë të punësuar dhe  të ardhurat e tyre mujore në familje nuk e tejkalojnë shumën prej 22.000 denarë.

Për pjesëmarrje në thirrjen publike kërkuesit deri te Ministria e Ekonomisë duhet të dorëzojnë: Formular i plotësuar i aplikimit (i cili merret në arkivin e Ministrisë së Ekonomisë ose përmes faqes së internetit: www.economy.gov.mk); Vërtetim nga punëdhënësi për shumën e pagës neto prej tre muajsh dhe pasqyrën bankare për tre muajt e fundit të aplikuesit dhe anëtarët e familjes (bashkëshorti, bashkëshortja dhe fëmijët) të cilët së bashku do ta shfrytëzojnë pushimin; Fotokopja e një letërnjoftimi ose dokumenti udhëtimi për të dhe anëtarët e familjes të cilët së bashku me të do ta shfrytëzojnë pushimin dhe Deklaratë që aplikuesi personalisht ose me anëtarët e familjes të shënuar edhe në aplikacion do të shfrytëzojnë pushimet (formular i gatshëm).

Madje, një person mund të dorëzojë vetëm një kërkesë për paraqitje të interesit për shfrytëzim të mjeteve për pushim të organizuar, ndërsa vërtetimi për shfrytëzimin e mjeteve për pushim të organizuar jepet sipas parimit “i pari i ardhur i pari i shërbyer”.

Kërkesa duhet të dorëzohet deri te arkivi i Ministrisë së Ekonomisë personalisht ose përmes postës në adresën “Jurij Gagarin” nr.15 Shkup, ndërsa lista e kërkuesve të cilët kanë dorëzuar dokumentacion të rregullt dhe kompletuar publikohet në ueb-faqen e Ministrisë së Ekonomisë më së voni shtatë ditë nga dita e konfirmimit të listës.

Shfrytëzuesit të cilët do t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme dhe do t’i përmbushin kushtet për shfrytëzim të kësaj mase, do të marrin vërtetim nga Ministria e Ekonomisë për shfrytëzim të mjeteve për pushim të organizuar për punonjësit me të ardhura të ulëta, më saktësisht do t’u jepet vërtetim për shfrytëzim të mjeteve për pushim të organizuar për punonjës me të ardhura të ulëta në vlerën e përmendur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button